Per te lexuar te plote kete artikull ne Gazeten Telegraph (Kliko ketu)
INTERVISTA/ Kryetari i Akademisë
së Shkencave, Gudar Beqiraj: “ Akademia e Shkencave ne 100 Vjetorin e
Pavaresise në pritje për fonde nga Qeveria”
Prof. Dr. Gudar Beqiraj, Kryetari i
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kohët e fundit është anëtarësuar
në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Europës. Muajin e fundit,
kontributi i tij shoqëror është vlerësuar me titullin e madh “ Ambasador
i Paqes”. E megjithatë, në intervistën për “Telegraf”, Prof.Dr. Gudar
Beqiraj, në fund, shprehet me një emocion që rrjedh nga ndjenjat, për
vlerën më të madhe të jetës së tij. Cila është kjo vlerë? Arritjet
shkencore? Vlerësimet dhe titujt shkencorë? Gjithsesi, jo. Edhe zëri i
dridhet, sa përshkruan me fjalë lumturinë e tij personale. Është kjo
ndjenjë shpirtërore, që njerëzit e mëdhenj i bën të duken edhe më të
njerëzishëm. “Jam i lumtur, që më është realizuar ajo ëndërr që kisha.
Që nipi im, djali i vajzës, që është rritur me mua e tim shoqe, është
bërë sportist. Kjo është një nga arritjet e mia më të mëdha të jetës
time. Është bërë një notar i shkëlqyer. Ky është një nga vlerat e mia më
të mëdha të jetës time”.
- Prof. Beqiraj, ju falenderojmë
për kohën që na kushtoni. Mund të na jepni një panoramë të aktiviteteve
dhe të veprimtarisë së Akademisë së Shkencave te Shqiperise në kohët e
fundit?
- Akademia e Shkencave e Shqipërisë
është institucioni, që sipas ligjit të saj, realizon rolin kordinues
në projekte të ndryshme, në problematika të fushës së shkencave, në
bashkëpunim me institucione të arsimit të lartë, institutive shkencore
apo dhe dikastereve që lidhen me to. Akademia e Shkencave, tashme si
Akademi pa institute, që pas vitit 2008, e ka zhvilluar aktivitetin e
saj, duke bashkëpunuar me institucione të tjera shkencore, mbështetur
kurdoherë në punën e akademikëve të saj. Në këtë aspekt, Akademia e
Shkencave ka një bashkëpunim të frytshëm me Universitete të ndryshme të
Shqipërisë po dhe jashtë saj. Gjithashtu, ka bashkëpunime edhe me
institucione jashtë Shqipërisë. Më i realizuari është ai me Akademinë
e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Mund të përmend edhe bashkëpunimet
me Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, Malit të Zi, Italisë,
Austrisë, Gjermanisë, e me rradhë, me institucione të tilla homologe.
Një tjetër bashkëpunim, që ia vlen ta përmendim, është ai me Akademinë
e Shkencave dhe Arteve të Europës, ku ne jemi anëtare e saj dhe
njëkohësisht ajo ka kontribuar fuqizimin e lidhjeve te Akademise tonë
me akademitë e tjera të Europës.
- Duke qënë koherentë me
zhvillimet aktuale të kohës, cilat janë ato probleme, të cilat shtrohen
për t’u trajtuar nga Akademia e Shkencave e Shqiperise?
- Probleme Shqipëria, siç dihet ka
shumë. Akademia e Shkencave e Shqiperise ka në gjirin e sa
personalitete të fushave të ndryshme që kontribuojnë me punën e tyre në
zgjidhjen hera herës të këtyre problemeve. Në bashkëpunim me homologen
tonë të Malit të Zi u realizua konferenca shkencore ndërkombëtare për
problemet e liqenit të Shkodres dhe lumit të Bunës. Të njëjtën gjë
duam të realizojme me Akademinë e Shkencave të Maqedonisë për Liqenin e
Ohrit. Konferenca të fushave të ndryshme me objektiv ngritjen e
problemeve apo dhe dhënien e zgjidhjeve për to janë realizuar për
ekonominë, bujqësinë,mjeksinë, drejtesinë, pemtarinë, vreshtarinë, e të
tjera. Akademia është mbështetëse edhe e inisiativave të individëve po
të grup individësh për probleme që ivlejnë shkencës, kulturës apo
ekonomisë së vendit. Dua të përmend mbështetjen për iniciativën për
pastrimin e lumit të Bunës nga anijet e mbytura para kusht ky për të
kaluar në projektin e bërjes së lumit Buna të lundrushëm.
- Cila është strategjia e Akademisë për 100 vjetorin e Pavarësisë?
- Nuk bëhet fjalë për strategji, por për
një axhende konferencash, botimesh, promovimes dhe pse jo festimesh.
Akademia e Shkencave, që në fillim të këtij viti vendosi që të
organizojë një konferencë jubilare në 26 nëntor, ku padyshim peshën
kryesore te kumtesave do ta mbajnë figura të rëndësishme të historisë.
Eshte konceptuar të jetë një një konferencë sa më cilësore ndaj dhe
janë përzgjedhur figura të shquara të shkences dhe artit si brenda ashtu
dhe jashtë vendit.
- Çfarë të reje do të sjellë dhe do të trajtojë kjo konferencë, të cilët ju e cilësuat, jubilare?
- Me siguri që mund të ketë edhe të reja
në aspektin historik, sepse kësaj teme do t’i mëshohet, qëndra e
gravitetit do të jenë problemet historike dhe le të presim nga
personalitetet e kësaj fushe, siç janë Niko Pano nga Amerika, Michael
Shmidt nga Gjermania, Ben Fisher nga Amerika, Francesko Altimari nga
Italia, Ismail Kadare, Xhaferri , si edhe disa nga historianët tanë të
njohur, të cilët, duke patur parasysh vlerat e mëdha të këtij jubileu,
padyshim që do të kenë edhe fakte të reja, apo edhe ngjarje, të cilat
nuk janë trajtuar më përpara. Për Akademinë tonë ka edhe një
koiçidencë, mund ta quajmë edhe një lloj fati, në 10 tetor Akademia e
Shkencave feston 40 vjetorin e themelimit të saj, ku në bashkëpunim me
Akademinë e Shkencave dhe arteve të Europës dhe personalisht me
presidentin e saj, Prof. Felix Unger, do të organizojmë një festë
jubilare, ku do të ftohen 52 presidentë e Akademive të shkencave të
Europës. Për këtë ngjarje kemi marrë edhe mbështetjen e kryeministri
Berisha në takimin që ai pati në Tiranë me Presidentin Unger. Kjo
ngjarje padyshim do të shenojë një stad të ri në bashkëpunimet tona.
- Si do ta vlerësonit ju rolin dhe kontributin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në integrimin e Shqipërisë në BE?
- Në fakt probemi është i gjerë.
Parësorja e rolit dhe e kontributit të Akademisë, është që akademikët
marrin pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare , ku paraqesim punën
e tyre, pse jo dhe ecurine tonë drejt Europës. Nga ana tjetër anëtarë
të Akademisë tonë janë personalitete tashmë të fushave të ndyshme në
vende të ndryshme të Europës e më gjerë, si për shembull
mjeksia,bujqësia, elektronika, e të tjera. Para një muaji, në një
konferencë shkencore ndërkombëtare në Ohër, akademikët tanë mbajtën
kumtesa me mjaft interes. Një tjetër kontribut, është bashkëpunimi ynë
me akademitë dhe akademikët e vendeve të tjera.
- Një nga sfidat që është
shtruar, për rrethanat kohore, është edhe rishikimi i historisë
shqiptare. Megjithatë, aktualisht, për këtë nevojë, për rishikimin e
historisë sonë flasin më shumë politikanët, përcaktojnë politikisht, jo
vetëm kriteret e rishikimit, të ribërjes, por edhe si duhet ta
perceptojmë. Ju këtë, si e shpjegoni?
- Nëqoftëse më keni dëgjuar, unë
gjithmonë kam thënë, kur bëhet fjalë për histori, për fusha të tjera, që
nuk janë të afërta me fushën time që pra matematikën apo informatikën,
unë nuk flas. Le të flasin ata që janë njohës, specialistë,
historianët, në rastin e historisë. Kjo është filozofia ime. Nuk mund të
gjykoj për politikanët, mbase politikanët kanë detyra më shumë se çmund
të ketë Kryetari i Akademisë së Shkencave, mbase u takon për t’u
folur. Unë, ju thashë, nuk dua t’i gjykoj, mund të jetë vërtet detyrë e
tyre, jo për të ndryshuar se nuk ju takon atyre, por për të dhënë
orientime, pse jo.
- A është kristalizuar, një
bashkëveprim, një strategji e Akademisë së Shkencave për të patur një
rol aktiv në rishikimin dhe rishkruajtjen e historisë të Shqipërisë?
- Jo, ky problem, të
paktën për momentin, nuk është disktutuar, në Akademinë e Shkencave dhe
as na është kërkuar ndërkohë që ka një institut historie, që tashmë
nuk bën pjesë në Akademinë e Shkencave, por në Qendrën e Studimeve
Albanologjike.
- Debati i gjuhës shqipe, sa
vjen dhe merr tone oponence midis palëve. Cili është pozicioni i
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë?
- Pozicioni i Akademisë
së Shkencave në këtë debat është pozicion institucional. Po funksionon
tashmë Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe. Le t’ja lëmë këtij
këshilli profesionistash te merren me këtë punë.
- Mendimi juaj, cili është?
- Mendimi im si qytetar është të
përvehtësojmë mirë standartin, kjo sidomos për të rinjtë dhe të mos
lejojmë prishjen e tij me futje pa kriter të fjalëve të huaja. Unë
mendoj, që për ne shqiptarët, ky është shqetësimi më i madh për gjuhën
tonë. Ne, këtë cilësi standarti që kemi arritur deri këtu, ta ruajmë, ta
mbështesim dhe nëqoftëse nga gjuhëtarët lind problemi që diçka duhet të
ndryshojme, që ta pasurojmë gjuhën, ta përsosim, le ta bëjmë, për të
mirën tonë të përbashkët.
- Cili është qëndrimi juaj për
nevojën, nëqoftëse shtrohet, të një unifikimi të Akademive shqiptare, në
një Akademi të mbarë kombit shqiptar?
- Absolutisht nuk jam
që të kemi në këto momente unifikimin e Akademive shqiptare. Vërtet,
disa gjëra i kemi të përbashkëta, jemi një komb, por ama, kemi edhe
problematika të ndryshme. Për momentin, unë them të forcojmë
bashkëpunimin, sidomos me Akademinë e Shkencave të Kososvës, që për
mendimin tim, është një bashkëpunim i shkëlqyer.
- Kohët e fundit, ju, Profesor,
jeni pranuar edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Europës.
Ju, personalisht, si e vlerësoni këtë nder që ju bëhet?
- Është kënaqësi që për
punën njeriu merr një vlerësim, jashtë vendit të vet. Ky vlerësim është
rezultat, jo vetëm i punës time, por edhe i gjithë Akademisë së
Shkencave të Shqipërisë.
- Duke e parë, përtej kuntureve personale, ky anëtarësimi juaj në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Europës, çdo të thotë?
- Për mua do të thotë
vlerësim për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ky anëtarësim, është
konsideratë, vlerësimi i punës të të gjithë akademikëve shqiptarë.
- A ndjeni konkurencë me Akademinë tjetër shqiptare dhe cilat janë raportet midis jush?
- Akademia e Shkencave
e Shqipërisë në moton e saj nuk ka konkurencën, por bashkëpunimin.
Nëqoftëse ka institucione që krijohen për të ndërtuar diçka të mirë për
vendin, qofshin këto edhe akademi të reja, janë të mirëpritura. Unë
dhe Akademia që përfaqësoj, gjithmonë jemi të hapur për të bashkëpunuar,
jo vetëm me akademi, por edhe me çdo lloj institucioni, pavarësisht nga
emri, por që kërkon të bëjë punë të ngjasme me ne. Sa më shumë të
tilla të kemi, aq më mirë. Sejcili të bëjë atë punë që ka për detyrë të
bëjë e që mund ta bëjë.
- Ekzistenca paralele e disa akademive, dëmton?
- Unë them se kjo veçse ndihmon.
Nëqoftëse kjo bëhet në dëshirën e mirë, për diçka që në momentin e
caktuar Akademia e Shkencave mund të mos e bëjë. Këtë vit Akademia e
Shkencavekishpër botim një fond relativisht të vogël. Ne parashikuam, që
me ato pak lekë, të botonim vetëm një libër, “ Fjalori shpjegues i
Botanikës”. Një lloj bible për botanikën dhe kishtë kohë që ky libër
priste rradhën për t’u botuar. Mundësi të tjera financiare nuk kemi,
edhe pse kishim emergjencë për të botuar një album përgatitur nga
historiani Kristo Frashëri, për Ismail Qemalin. Me ndihmën e
bashkëpunëtorëve të Akademisë, ne arritën që këtë libër ta shtypnim në
Itali.Pokështu, kishim dëshirë të botonim librin tjetër të Kristo
Frashërit për Lidhjen e Prizrenit, dhe ta kishim gati për 134 vjetorin e
saj, Ja arritëm kesaj, me ndihmën e një universiteti privat. Poqe se
akademitë e tjera që krijohen, kanë mundësi të bëjnë gjëra të tilla, aq
më mirë do të jetë për të gjithë. Le të bëhemi pra plotësues të njëri
tjetrit për të mirën e përbashkët.
- Prof. Beqiraj, muajt e fundit
jeni nderuar edhe me titullin “Ambasador i Paqes”. Është një tjetër
vlerësim i madh që i bëhet kontributit tuaj, përtej caqeve të
Shqipërisë.
- Është një vlerësim jashtë sferës së
shkencës, jam ndjerë vërtet mirë, kam ndjerë krenarinë që në jetën time
më është shtuar një vlerë nga ajo punë që unë gjithë jetën time kam
bërë në mënyrë vullnetare. Veç peshëngritjes, ku kontriboj 40 vjet, unë
për 20 vjet jam vullnetarisht president i fondacionit Ryder, i cili
ndihmon të sëmurët me kancer. Kemi ndihmuar qindra pacientë. Ky titull,
më ngacmon në sedër për të punuar akoma edhe më tepër. Filozofia e jetes
time permblidhet ne fjalët që m’i thoshte gjyshja kur isha vogel: “
Lutju zotit, çka ke përreth, të jenë ma mirë se ti”.
Francesko Altimari për debatin e gjuhës shqipe, pak per te qeshur
E pyes Francesko Altimarin, një nga
specialistët arbëresh të gjuhës shqipe, për një debat që u bë në
keshillin ndëakademik të gjuhës shqipe: “ Hë, si shkoi mbledhja?” . “
Mirë, ore, mirë. Shumë mirë shkoi, më tha. Diçka për humor. Po
diskutonin si t’i themi” Shtëpi, apo shpi? Dhe unë u thashë. Thoni ore,
si të doni, në daç shtëpi, në daç shpi. Vetëm kujdesohuni, që të jetë e
mbuluar e të mos hyjë shiu brenda”.
- Pozicioni i Akademisë së
Shkencave në këtë debat është pozicion institucional. Po funksionon
tashmë Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe. Le t’ja lëmë këtij
këshilli profesionistash te merren me këtë punë.
Le të flasin ata që janë njohës,
specialistë, historianët, në rastin e historisë. Kjo është filozofia
ime. Nuk mund të gjykoj për politikanët, mbase politikanët kanë detyra
më shumë se çmund të ketë Kryetari i Akademisë së Shkencave, mbase u
takon për t’u folur. Unë, ju thashë, nuk dua t’i gjykoj, mund të jetë
vërtet detyrë e tyre, jo për të ndryshuar se nuk ju takon atyre, por
për të dhënë orientime, pse jo.
- Ju faleminderit!