Friday, November 19, 2010

Monumenti i fjalës dibrane

kliko ketu per artikullin ne Tribuna Shqiptare

Duke lexuar librin e autorit Arian Kadiu “Dibra e madhe dhe një vështrim mbi Dibrën e Vogël”

Nga Namik Selmani


1.
Kur më ra në duar libri më i fundit i mikut tim Arian Kadiu “Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël”, ndjeva një shpirt të gaztë brenda qënies sime.
Duket se uria ime për atë që shkruhet për Dibrën më bëri që ta lexoj e ta rilexoj librin e tij. Të mbaja edhe shënime për disa detaje që mund të bëhen fare mirë subjekte poezish, tregimesh në të ardhmen. Libri më i fundit i Arian Kadiut është mbase kurora më e bukur që ai ia vë krahinës së tij asaj të Dibrës. Madje ai shkruan në të edhe për Dibrën e Vogël.

Dibra e Madhe dhe Dibra e vogël, ashtu si mjaft krahina kufitare kanë patur fatin e keq që të jenë shumë vite të ndara me telaklonin e gjëmbuar të kufinjve shtetërorë e të asaj ndarjeje me një MUR të madh mes vedi. Një gjë e tillë ka ndodhur me disa treva të Çamërisë, të Tropojës, të trojeve shqiptare në Mal të Zi etj. E pra, libri më i ri i Autorit Arian Kadiu është një Urë e madhe Bashkimi, edhe kur mungonte qoftë edhe një reze e vogël drite në kufinjtë e
tyre. Në këtë kënd do të thonim se ky libër është edhe një plotësim i nevojës së krahinës së Dibrës së Vogël që është aktualisht jasht kufinjve tanë shtëtërorë për të njohur identitetin e tyre kulturor, arsimor., Kjo është padyshim edhe në nga meritat kryesore të librit. Shumë studiues e kanë parë të shkëputur historikun e këtyre dy krahinave gjë që nuk ndodh me këtë libër.
Pra, autori ka marrë përsipër për ta bërë bukur mirë shpalosjen sa më të plotë të identitetit të kësaj krahine. Me aq shumë histori, me gojëdhëna që nisin të paktën prej dy mijë vjetësh e deri më sot. Kufinjtë e gardhuar me tela kloni për shumë e shumë vite nuk e kanë ndalur asnjëherë atë bashkëveprim, atë vazhdimësi të kulturës së kësaj krahine shumë të njohur në mbarë kombin tonë, të një krahine me aq autoritet në kulturën tone. Edhe në zhvillimet e vrullshme që ka shoqëria, shkrimi në ditët tona, por edhe në të kaluarën më të afërt, për shumë vite ka qenë e gjallë e shumë konkrete shprehja “Si të vendoste Dibra, ashtu do
të bëhej”. Për ta ndihmuar lexuesin me këtë madhështi dibrane që në fillim të librit autori vë disa mendime të personaliteteve të huaja për Dibrën të marra në vite e shekuj. Më 1916 kryeministri i Turqisë Ferit Pasha ka shkruar për të: “Në dy Dibra është zemra e Shqipërisë, Porta e vërtetë e Shqipërisë është atje, kurdoherë.“ Fan Noli ka shkruar: “Njerëz të zgjuar me lezet/që i gjen në çdo
anë/që të bëjnë muhabet/ata janë mjeshtrit dibranë”. Eqerem Bej Vlora ka shkruar në veprën e tij: ”Dibranët janë fisi më luftarak i shqiptarëve”. Nuk ështe e tepërt që të themi se në kohën tonë me vend e pa vend të gjithë letërshkruesit
shqiptarë e më gjërë janë të përfshirë nga një mani e madhe të shkruari që mund ta quajmë “vendlindjomanina”. Në kohën kur në qytete e fshatra mungon kujtesa e shkruar, mendoj se kjo nuk është gjë e keqe, por që duhet thënë që në fillim se subjektivizmi i tepruar, burimet e pakta bibliografike që janë shfrytëzuar nga ata nga Veriu e në Jug të Shqipërisë, e zhvleftësojnë pak këtë punë të bërë në
këto 20 vjet të demokracisë ku censura është theqafur mbyturazi dhe secili thotë “për mendimin tim” pa menduar aspak detyrimin që ka ndaj lexuesit “në emër të së
vërtetës”. Për të qenë të natyrshëm e të besueshëm në atë që shkruajmë në këtë shkrim studimor, duhet thënë se edhe për Dibrën janë botuar sot e kah mot shumë
shkrime, libra studimorë, monografi për trimat e këngëtarët e saj, për zantaçinjtë e për ndërtuesit, për mësuesët e për artistët, për Rrugën e Arbërit e për Skënderbeun që dibranët e kanë heroin e tyre aq të dashur e aq të pranishëm në dhjetra gojëdhëna, toponime, histori, këngë etj. Janë bërë edhe vepra që kanë marrë në ballinat e tyre fjalën “Enciklopedi”. Duke bërë një krahasim të tyre me këtë libër shumë voluminoz duhet thënë se burimet e marra nga autori dhe gjërësia e fushave që rrok libri e vënë atë në radhën e parë të këtyre librave për Dibrën. Le të flasim më konkretisht. Për të hartuar këtë libër atij i janë dashur të
paktën 7 vjet kohë. Ai vjen në këtë sipërmarrje kaq madhore botuese pas botimit të 32 veprave të ndryshme letrare, shkencore, pedagogjike pa përmendur ato qindra e qindra shkrime studimore të botuara në shtypin shqiptar e atë të huaj, pa përmendur tërë atë aktivitet të dendur shkencor në shërbim të mësimdhënies në vite.

Në listën e burimeve të përdorura për këtë libër janë rreth 250 të tillë, duke përfshirë jo vetëm ato shqiptare, por edhe të gjuhëve frënge, angleze, turke, serbe, greke, Janë shfrytëzuar burime origjinale të Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë, të Kosovës, të Turqisë, Maqedonisë, të Austrisë duke u ndalur në shumë burime të Arkivit të Shtetit Shqiptar ku janë shfrytëzuar shumë dosje. Nga autorët më të njohur shqiptarë që janë cituar duke përfshirë vepra të plota të
tyre do të përmendnim Eqerem Çabejin, Haki Sharofi, Medi Frashëri, Sami Frashëri, Fan Noli, Edit Durhan, Ahmet Kondo, Marenglen Verli, Zija Shkodra, Haki Stërmilli, Hysni Myzyri, Gazmend Shpuza, Ramiz Zeka, Haziz Ndreu, Eqerem
Bej Vlora, Musa Kraja, Sejfi Vllamasi, Sherif Delvina, Mahir Domi, Gjovalin Shkurtaj, etj. Nga studiuesit e huaj do të përmendnim Robert Elsie, Aleksandër Stpikoviç, Zhan Klod Faverial, etj. Vepra e Arian Kadiut nuk është një vepër e mirëfilltë historike, por është një përpjekje për të rrokur shumë sfera të jetës së dibranëve. Për këtë ai shkruan
vetë: “Unë nuk i përkas sferës së historisë, por historia është një nga hobet e mia, dhe jam më shumë i informuar për rrjedhat e zhvillimet e ndryshme historike, falë edhe miqësive me shumë historianë dhe akademikë” .
Porsa u botua më 2003 një enciklopedi për Dibrën e Madhe me rreth 350 faqe, jehona e saj ishte shumë e madhe deri edhe në shtete të ndryshme të Evropës gjer në SHBA. Kjo e nxiti atë që të bënte këtë vepër shumë më të plotë dhe aq të
dobishme për shumë studiues të kësaj treve në të ardhmen. Që në atë kohë, por edhe me dorëshkrimin që ai ua ka dhënë studiuesve të kësaj fushe, gjykimi për të është bërë shumë i lavdërueshëm Do të përmendnim këtu vlerësimin e studiuesit
Gjovalin Shkurtaj, të juristit Kujtim Osmani, të profesor Nexhat Myftiu, etj. Me shumë emocion Profesor Gjovalini shkruan në fund të shkrimit të tij hyrës:
“Lexojeni të nderuar lexues këtë libër për Dibrën e madhe, sepse do të përfitoni mjaft nga dijet që jepen aty për një trevë kaq të thekur në atdhetari e në kulturë, për një vatër traditash të bukura e djep të shumë burrave të shquar, e
njerëz të letrave, por edhe do të merrni një model të bukur se si duhet vepruar për t’ia shpërblyer sadopak vendlindjes, duke i blatuar jo vetëm dashuri e nderim, por edhe dije e trajtime me vlera shkencore e etnokulturore.” Studiuesi
Nexhat Myftiu shkruan ndër të tjera: “Historia këtu lëviz bashkë me lexuesin nëpërmjet viteve. Pra, kemi të bëjëmë me një histori rrëfyese, me një libër që bën përshkrimim e së kaluarës. Këtu shquajmë aftësinë e autorit për t’u shkrirë
me të kaluarën, shquajmë gjithashtu përmbajtjen intelektuale të veprës, duke bërë që edhe faktin më të thjeshtë autori ta trajtojë me peshën e rëndësinë që
ai ka.”

2.
Kapitujt e librit të autorit Arian Kadiu, në një farë mënyre, tregojnë edhe tematikën e kësaj vepre shumë voluminoze dhe të shumëpritur nga rrethet akademike, të lexuesve të gjërë e sidomos për rininë e kësaj treve. Ai merret me
pozitën gjeografike, me evolumin e emrit të Dibrës në shekuj, me jetën e saj qytetare. Hedh shumë dritë në dibranizmin e Skënderbeut dhe në shqiptarizmin e
këtij heroi të madh të kombit tonë. Merr përsipër të trajtojë me shumë gjërësi dhe me objektivitet disa ngjarje me rëndësi kombëtare që kanë ndodhur në këtë
krahinë si Lidhja e Prizrenit, 100-vjetori i Kongresit të Dibrës, veprimtaria e Klubit “Bashkimi”, të Kongresit Famëmadh të Dibrës, etj. Historia e një krahine si Dibra, e ndodhur krah më krah me etnografinë, folklorin, sportin, gjeografinë, zhvillmin e arsimit, etj e bëjnë atë një vepër
që duhet të ketë një lexues shumë të madh në numër e në interesat e mëdha për ta lexuar e për ta studiuar këtë libër.
Pjesa më interesante e kësaj vepre që mund ta quajmë edhe një enciklopedi, janë ato të kulturës së kësaj krahine. Kultura dhe sporti, recetat origjinale të gatimit, lojërat popullore, elementët e veshjes, zakonet e dasmës dibrane, ritet
e festave të natyrës shoqërohen në këtë libër edhe me kapituj shumë origjinalë si riti i synetit te djemtë dibranë, te vajtimi, te folklori. Disa nga kapitujt më interesantë që ia japin shumë ngjyrim emocional në këtë libër janë “Gjuha e
të fshehtës” dhe “Këngët Hoka” si dhe “Oda dibrane”. Po t’i referohemi një çast gjuhës së të fshehurit autori na tregon me shumë argumente të ndryshme se “kjo
mënyrë të foluri ishte jo vetëm një pjesë e identitetit kulturor të saj, por edhe një mënyrë për të zgjidhur konflikte të ndryshme. Kjo ka qenë një
“pasaportë” e mençurisë personale, por edhe e fshatit të lindjes që e dallonte
folësin dhe burrërinë karakterin e paepur, spese kjo ndërmarrje me këta malësorë
ishte gjithmonë të nënkuptuar e përmbante brenda saj fjalën e thukshme “besë”.
Fjalori i tyre ishte i kursyer, i zgjedhur, me ngjyresa artistike”.
Krahas kësaj teme jo shumë të rrahur në botimet tonë studimore do t’i shtonim
edhe temën për Odën Dibrane. Të gjithë shqiptarët, edhe pse nuk e kanë parë
nga afër apo edhe të kenë qenë të pranishëm fizkisht në të, në shumë mënyra e
kanë njohur dhe e njohin ende identitetin e Odës Dibrane për atë kompleksitet të
madh motivesh që ajo përmban në tërësinë e vet si një institucion shumë të
spikatur të kulturës shpirtërore të kësaj treve. Pasi bën një përshkrim shumë të
spikatur dhe të hollësishëm të kësaj Ode ai shkruan ndër të tjera “Oda ka
shërbyer si vendi ku thureshin e merrnin udhë këngët e bukura epike dhe lirike,
ku festohej e gëzohej, ku kumbonte kënga e niste gjëma, ku pritej e përcillej
miku i shtëpisë, ku përdoreshin fjalë të urta dhe dialogu alegorik….Në këto Oda
fjala kishte një peshë shumë të rëndë, Jo më kot thuhej se në këto Oda kur duhet
të shkoje, duhet të merrje me vete një metër, një kandar dhe një thikë me dy
presa. Kjo do të thoshte se duhet ta matje mirë fjalën para se ta thoje, ta
peshoje që të kishte peshë e ta përdorje në disa raste edhe me dy kuptime ku i
mençuri gjente kuptimin e vërtetë duke goditur saktë kur flitej për një
problem.” Jehona e mençurisë së këtyre Odave na jepet në një thënie shumë e
rëndësishme e studiuesit anglez Riginald Hibbert që ka shkruar ndërmjet të
tjerash në gazetën “Albania Life”: “Unë kam mbaruar Universitetin e Oksfordit,
por mbarova edhe një Universitet të dytë, atë të Dibrës”. Këtu kishte parasysh
atë institucion shumë të njohur, të lashtë të Odës Dibrane. Në kohën tonë kur jo
të gjithë i kushtojmë kujdes fjalës së folur duket se veç karakterit njohës së
kësaj Ode është edhe vlera morale e saj për brezat e rinj që jo gjithmonë i
kushtojnë kujdes gjuhës sonë amtare.
Pjesa që flet për arsimin e Dibrës është me vlera të mëdha njohëse. Autori
Arian Kadiu e ka lidhur jetën e tij që më 1972 me arsimin Jo pak, po rreth 50
vjet me radhë ai ka qenë në llogore të ndryshme të zhvillimit të arsimit jo
vetëm në Dibrën e tij, me të cilën ka patur e ka ende lidhje shumë të ngushta
shpirtërore. Një gjë të tillë e ka treguar edhe në atë historik të saktë të
datave, mësuesve të zonës, traditat e mëdha arsimdashëse të krahinës, përpjekjet
për ruajtjen e përhapjen e gjuhës amtare etj



3.
Suksesi i kësaj vepre është harmonizimi i përkryer që autori i ka bërë renditjes
së fakteteve, datave, tezave të ndryshme, shifrave, fotografive të shumta
ilustruese, citimeve të studiuesve të shumtë, jepen me një gjuhë të qartë, të
ngrohtë e aspak të ftohtë, si ndodh rëndom në vepra të tilla. Ai nuk bën një
lloj “divorci” me lexuesin, si ndodh jo rrallë sot kur lexuesi është bërë më i
zgjedhur në përzgjedhjen e librave jo vetëm për interesat kulturore që ai ka,
por edhe për atë kohë të vlefshme që harxhon me hapjen e fletëve të librit
tënd. Me një pamje të mrekullueshme ndërtesash ku mbizotëron pastërtia, kultura
dhe rregulli, me një traditë aq të lashtë e të re etnografike në këtë libër, të
dyja Dibrat dalin në këtë libër para nesh me një pamje të “Stambollit të Vogël”
. E çdo fjalë që shkruan ky dibran në origjinë si profesori Arian Kadiu, shton
edhe një Monument të ri të fjalës për të. Mos u mbarofshin kurrë dalta për të
gdhendur Monumente të tillë!


Tetor, 2010

No comments:

Post a Comment