Friday, November 19, 2010

Edhe një studiues i zellshëm iu shtua gjuhësisë shqiptare

Javën që sapo lam pas, në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” të Shkupit, Mr.Izmit Durmishi, mësimdhënës në USHT, mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës me temën: “Eufemizmat në të folmet shqipe të Maqedonisë” dhe mori gradën “Doktor i shkencave filologjike”. Komisioni në përbërje: Prof.dr. Gjovalin Shkurtaj- udhëheqës shkencor, Prof.dr. Agim Poloska - anëtar, Prof.dr.Asllan Hamiti - anëtar, Dr.Mirushe Hoxha –anëtar, Dr.Valbona Toska – anëtar, vlerësuan lartë punimin, duke theksuar se, ky disertacion është ndër të parët që përkon me disa disiplina të reja të gjuhësisë, siç janë “Etnografia e të folurit” dhe “Sociolinguistika”. Për më tepër, autori me një zell të madh ka bërë grumbullimin e materialit në terren, duke përdorur metodën empirike të punës, njëkohësisht ka shfrytëzuar edhe literaturë të pasur të gjuhëtarëve eminent shqiptarë dhe të huaj, si: Çabej, Osmani, Pepa, Hani, Zojzi, Tirtja, Memushaj, Rrokaj, Sapir, Sosyr, Kristall, Hymes, Bugarski, Apte, Bolinger, Gumperz, Raëson, Allan, Burridge, Xhonson, Llakof etj.


Autori që në fillim të punimit ka theksuar se ky disertacion doktorate ka për objekt studimi eufemizmat në të folmet shqipe të Maqedonisë, zhvillimin, shtresëzimin dhe ndryshimin leksikor si dukuri gjuhësore, duke u përqendruar aty kryesisht te “eufemizimi”, dukuri që mund të konsiderohet si njëra prej universaleve gjuhësore që nga fillesat e qytetërimeve të para e deri në ditët tona. Sipas Mr. Izmit Durmishit, eufemizmat nënkuptojnë përdorimin e fjalëve a shprehjeve gjuhësore, të cilat zëvendësojnë fjalët e vrazhda, fjalët nënçmuese dhe kështu, radhiten si arsenal ligjërimor krahas me tabutë, si psh. “shkoi”, “u largua nga kjo botë”, “u bë për rahmet”, “u nda së gjallësh” në vend të “vdiq” Me“eufemizim” kuptojmë procesin e zbutjes të disa fjalëve të papërshtatshme dhe zëvendësimin e tyre me fjalë më të lehta e më pak lënduese, kryesisht mbi bazën e një cilësimi metaforik apo edhe të një riemërimi.


Eufemizmat janë dukuri gjuhësore e përditshmërisë sonë, të cilat, ndonëse mendohej se u përkasin kohëve të vjetra dhe mjediseve e situatave kryesisht analfabete e të prapambetura, megjithatë, mund të shihet se ato, jo vetëm nuk kanë shteruar, por edhe po shtohen me formime e sajesa të reja. Kështu, kur thuhet “ nuk është fort mirë me shëndet në vend të “është i sëmurë”, ”në rast se i ngjanë atij diçka” në vend “ nëse ai vdes “ashtu edhe “tregtia e mishit të bardhë” në vend “ trafiku i prostitutave”,kuptojmë rëndësinë e tyre në komunikimin e përditshëm.


Punimi, përveç hyrjes përmban dhjetë krerë. Në kreun e parë jepen të dhëna për të folmet shqipe të disa krahinave shqipe në Maqedoni, në të dytin merren në shqyrtim shtresat e leksikut dialektor të këtyre të folmeve, në të tretin shqyrtohen tabutë dhe eufemizmat (eufemizmat për emrin e Zotit, eufemizma të botës së kafshëve, euf. për sëmundjet e ndryshme etj.);në kreun e katërt trajtohen eufemizmat dhe lashtësia e tyre. Në të pestin shihet raporti i eufemizmave në shoqëri (euf.si temë sociolinguistike), përkufizimi, llojet, nënllojet. Kreu igjashtë trajton eufemizmat dhe kuptimin semantik të tyre, ndërsa i shtati na jep shpjegim për raportin e eufemizmave dhe stilit. Në kreun e tetë shqyrtohet analiza kuptimore etyre, ndërkaq në të nëntin jepen shpjegime për strukturën e eufemizmave. Kreu i fundit trajton eufemizmat në letërsinë gojore dhe artistike.


Meritat më të mëdha që i arrinë me sukses ky studim i Mr.Izmit Durmishit, janë para së gjithash, zgjedhja e temës dhe trajtimi i saj në gjerësi, duke njohur, thithur dhe kuptuar gjithë sa ishte shkruar për eufemizmat e tabutë në shqipen para tij, qysh nga Çabej dhe pasuesit e tij, ai plotësoi ate pjesë të mbetur djerr sidomos për pjesët e shqipes në trojet jashtë Shqipërisë, pra ato të shqiptarëve në Maqedoni.
Autori është përpjekur që kategorinë e marrë në shqyrtim (eufemizmat dhe tabutë e shqipes) ta shohë në disa plane dhe, ndonëse shtrati bazë mbetet trajtimi sociolinguistik dhe leksikologjik, përderisa lënda ëshhtë mirëfilli si pjesë e përshkruar nga fjalorë normativë, dialektorë, sinonimikë, frazeologjikë etj., por edhe në aspektin e tyre fjalëformues, duke u ndalur gjerë sidomos në mënyrat e e formimit të tyre.
Ky studim ka rëndësi të madhe, pasi për herë të parë, në mos tjetër përsa i takon gjerësisë së trajtimit, jepet edhe një pamje e mirë e vendit të eufemizmave në folklorin shqiptar.
Si përfundim, mund të themi se, eufemizmat tradicionalisht krijohen brenda retorikës dhe teorisë së letërsisë, megjithatë, kohëve të fundit, për shkak të përdorimit të madh të tyre dhe rëndësisë që kanë në komunikim, gjithnjë e më tepër po bëhen temë e rëndësishme e kërkimeve semantike, gjuhësisë pragmatike e në mënyrë të veçantë e hulumtimeve sociolinguistike, ndërkaq, në disa gjuhë janë bërë lëndë bazë e veprave leksikografike.

Zyra për informim

No comments:

Post a Comment