Sunday, July 3, 2016

Një fjalë e huaj më pak ose fitorja përfundimtare e "këndores" në vend të "corner".

'Këndore' apo 'Corner'
Bashkë me gëzimin e madh që përjetuam nga pjesëmarrja e kombëtares sonë në Evropianin 2016, tani që emocionet janë qetësuar, sepse beteja e skuadres sonë me De Biasin në krye qe e lëvdueshme, më duket se është rasti të përmendim edhe ndonjë nga gëzimet e vogla, por gjithsesi të këndshme e me vlerë kombëtare për pastrimin e pasurimin e gjuhës shqipe.

Per hir të kujdesit dhe këmbënguljes së komentatorit Dritan Shakohoxha, sa herë që u gjuajtën goditje nga këndi, ai në vend të fjalës së huaj "corner" përdori (dhe po vazhdon të përdorë ) sistematikisht fjalën shqipe "këndore" te krijuar prej tij dhe si fryt i dëshirës së tij per t'i thënë shqip edhe disa nga termat e futbollit.

E përgëzojmë komentatorin Shakohoxha, i cili është jo vetem zemërvalë e adhurues i lojës se bukur, po edhe mëtues i lëvdueshëm e dorëmbarë për pastrimin e pasurimin e terminologjisë sportive.

Sa mirë do të ishte që shembullin e zellin e tij gjuhëdashës e gjuhëruajtës ta ndiqnin edhe shtetarët e politikanët shqiptarë, si dhe të gjithë sa jemi në veprimtaritë dhe punët e përditshme. 


A photo posted by Dritan Shakohoxha (@dritan_shakohoxha) on

Sunday, May 29, 2016

"Ah...ç'të bën paraja" - nga Teatri "Zihni Sako" (Gjirokaster)





Këto vitet e fundit, vëmë re me kënaqësi se ka një këndellje e rigjallërim të jetës teatrore në qytetet e mëdha, po edhe në qendrat e vogla, midis të cilave ia vlen të përmendim punën meritore dhe mbërritjet e Teatrit të qytetit të Gjirokastrës.
Para disa ditësh trupa e Teatrit të Gjirokastrës erdhi në Tiranë me shfaqjen: "Eh, ç'të bën paraja". Një punë e kujdesshme e krejt trupës, e regjisorit Vasil Çuklla, e skenografit Gazmend Koçollari, po edhe e aktorëve interpretues.
Salla e mbushur plot e përplot me shikues, natyrisht,në radhë të parë artdashës gjirokastritë që jetojnë në Tiranë, po edhe nga adhurues të teatrit nga radhët e studiuesve, profesorëve të letërsisë dhe dashamirëve të pamungueshëm të artit skenik, sigurisht edhe gazetarë e punonjës të mediave.
Të gjithë sa ishim, shijuam një shfaqje të këndshme, të vënë në skenë thjesht e natyrshëm, po edhe me një tematikë e lajm a mesazh të gjetur mirë, mjaft të përshtatshëm e fshkikullues dhe për realitein e sotëm shqiptar.
E mbyllim këtë bisedë me vlerësimet meritore për punën e kujdesshme të Teatrit të Gjirokastës, duke kujtuar thënien urtake të popullit shqiptar që thotë: “Shpesh, në ferrën e vogël gjendet lepuri më i madh”. Prej Gjirokastrës së largët na erdhi një prurje shumë e këndshme dhe një frymë e ëmbël ligjërimore  ndjellamirë.
Pafshim sa më shumë e sa më shpesh shfaqje të tilla, jo vetëm të bukura, por edhe ndikuese e mbresëlënëse.

Saturday, May 14, 2016

Emisioni 15 - Çfarë është Sintaksa ?



Fjala a, më saktë termi, Sintaksa, ashtu si shumica e termave të gramatikës e të gjuhësisë, vjen nga greqishtja σύνταξις (syntaxis), dhe emërton disiplinën a pjesën e gramatikës që merret me mënyrat se si lidhen fjalët në fjali dhe fjalitë ndërmjet tyre, shpjegon ndërtimin e fjalive në një gjuhë të dhënë.
Sintaksa, ashtu si krejt gramatika e një gjuhe, mbështetet në materialin gjuhësor konkret të gjuhës, bën përgjithësime duke u nisur nga elemente konkrete e të veçanta të ligjërimit, që janë të një larmie aq të madhe e të një sasie të pakufishme, përcakton kategoritë e tiparet e përgjithshme, atë që qëndron në bazë të ndryshimit të fjalëve dhe të bashkimeve të tyre, dhe nxjerr së andejmi rregullat.

Sunday, April 24, 2016

Emisioni 14 - Çfarë është Morfologjia ?

Në gjuhësi, morfologjia është dega kryesore e gramatikës, që merret me studimin e trajtave të fjalëve. Kështu kemi përdorimet e saj kryesore, si: Morfologjia e gjuhës shqipe; Sistemi morfologjik i gjuhës shqipe. Po edhe në rrafshe më të kufizuara, si p.sh. në studimet dialektologjike: Sistemi morfologjik i dialekteve të shqipes ose edhe sisetmi morfologjik i një të folmeje të caktuar, p.sh. sistemi morfologjik i të folmeve të gegërishtes veipërëndimore, sistemi morfologjik i së folmes së Çamërisë; sistemi morfologjik i të folmeve arbëreshe të Italisë etj.