Showing posts with label balkanweb. Show all posts
Showing posts with label balkanweb. Show all posts

Sunday, November 28, 2010

BALKANWEB: - Gjirokastër, tri ditë me poetët e Ballkanit

Gjirokastër, tri ditë me poetët e BallkanitGJIROKASTER- Tri ditë manifestim i vlerave të përbashkëta dhe të veçanta të poetëve nga rajoni i Ballkanit. Iniciues është bërë klubi i krijuesve "Jonianë" në Sarandë, ndërkohë që mjedisi i veprimtarive integruese ka qenë Gjirokastra. Manifestimi u çel me diskutimin për letërsinë shqipe në kuadrin e asaj ballkanike. Në të u shkëmbyen mendime rreth shqetësimeve që lidhen me njohjen e ndërsjellë jo sa duhet të poezisë ballkanase, me nivelin e përgatitjes profesionale të përkthyesve etj. U tha se kjo vjen edhe nga mungesa e figurave imponuese poetike dhe fondeve fare të pakta të kulturës për këtë qëllim, veçanërisht tek ne në Shqipëri, por edhe për shkak të mendësive të vjetra nacionaliste etj. Manifestimi poetik vijoi me pritjen dhe bisedën që kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime e stafi i tij u rezervoi poetëve pjesëmarrës. Kryebashkiaku Bime theksoi se Gjirokastra është qytet krijuesish të shquar, por kurrë kjo bashki nuk ka pritur njëherazi kaq shumë poetë: kosovarë, shqiptaro-maqedonas, boshnjakë, maqedonas, grekë dhe shqiptarë nga emigracioni. Mes të tjerash në këtë takim u prezantuan poetët tanë nga Tirana, Elbasani, Fieri, Rrogozhina, Kuçova, Përmeti, Saranda e Gjirokastra. Në emër të krijuesve sarandjotë, poeti Timo Mërkuri i dhuroi kryetarit të Bashkisë Gjirokastër një statujë të hyjneshës së Butrintit, Dea, ndërsa kryetari i Klubit të Krijuesve "Jonianë", Bardhyl Maliqi, në emër të poetëve pjesëmarrës i dorëzoi zotit Bime "Certifikatën e Mirënjohjes". Nga ana e vet, kryebashkiaku Bime tha se do të kontribuojë në vazhdimësi për të ngulitur traditën e manifestimeve poetike, nën shembullin e Klubit të Krijuesve "Jonianë" të Sarandës. Veprimtaria kryesore, në kuadër të Manifestimit Poetik të poetëve ballkanikë, ishte ajo që u zhvillua në Galerinë e Artit Figurativ në mjediset e Kalasë së Gjirokastrës. Regjisorët dhe aktorët e teatrit të Gjirokastrës paraqitën një kolazh me vargje të përzgjedhura, me elementë të biografive poetike dhe librave të poetëve pjesëmarrës. Në një prej sallave të hotelit "Çajupi" u prezantua libri poetik "Hirësi përrallore", i poetes, piktores dhe pedagoges së Universitetit të Prishtinës, Miradije Ramiqi. Diskutimi u përshkua nga qasja mes poetes dhe piktores në tematikë, brendi ideore, mjete shprehëse dhe urëkalime nga piktura në poezi. Poetja Miradije Ramiqi tha se u ndje e befasuar nga niveli i diskutimeve dhe nga dashamirësia e poetëve ndaj saj. Pjesë e manifestimit ishte edhe një vizitë pune në mjediset e reja të kompleksit shkrimor të shtypshkronjës dhe shtëpisë botuese "Argjiro". Manifestimi poetik u mbyll me shpërndarjen e certifikatave përkatëse.
(GSH/BalkanWeb)

BALKANWEB: - Gjirokastër, një suvenir me imazhin e Çerçiz Topulli

Gjirokastër, një suvenir me imazhin e Çerçiz TopulliGJIROKASTER- Imazhi i atdhetarit Çerçiz Topulli i njohur si udhëheqës i një prej çetave patriotike në fillim të shekullit të kaluar, do të jetë pjesë e suvenireve për turistët që vizitojnë Gjirokastrën.

Ditët e fundit në shitoret e suvenireve në ka zënë vend dhe një bluzë në të cilën është stampuar imazhi i Çerçiz Topullit. Suveniri me fytyrën e kapedan Çerçizit është konceptuar nga specialistja amerikane e produkteve tradicionale Kimberly Reczek.

"Unë kam qenë e pranishme disa herë në Gjirokastër, si pjesë e projekteve për trashëgiminë kulturore dhe gjithmonë më ka tërhequr vëmendjen monumenti prej bronzi i Çerçiz Topullit, i vendosur në zonën historike", thotë Kimberly.

Pasi ka marrë informacion në lidhje me jetën dhe veprimtarinë patriotike të Çerçiz Topullit ajo ka menduar të stampojë imazhin e tij në bluzat që mund të tregëtohen për turistët si suvenir. "Kam konstatuar se Çerçizi është një simbol për Gjirokastrën dhe historinë e qytetit, kështu që pas përgatitjes së këtij suveniri jam optimiste se ai do të tërheqë vëmendjen e turistëve, të cilët do të dëshirojnë ta kenë si kujtim nga udhëtimi në qytetin e gurtë", thotë ajo.
(atsh/BalkanWeb)

Thursday, November 25, 2010

Alban Tartari sjell librin me poezi “Fije shprese”

MARRE NGA BALKANWEB.COM - PER ME SHUME KLIKO TEK BALKANWEB.COM

Alban Tartari sjell librin me poezi “Fije shprese”TIRANË- Të gjithë të apasionuarit e letërsisë tashmë do të kenë një libër më shumë në të gjitha libraritë e vendit. Libri me poezi dhe shqipërime “Fije shprese” i shkrimtarit të njohur Alban Tartari, i shtohet së fundmi titujve, në stendat e librarive. Në një mënyre a një tjetër poezitë e Aban Tartarit janë bërë të njohura ose nëpërmjet cikleve poetike në periodikë të ndryshëm ose tekste këngësh.

Me këtë libër, shkrimtari Tartari vjen para lexuesit me një album lirikash nëpërmjet teksteve të shkruara e të përkthyera në kohë e gjendje të ndryshme. Në parathënie të librit poeti Agron Tufa shprehet se poezitë e Tartarit në librin “Fije shprese” kanë një ndikim të menjëhershëm e të fortë.