Zonja
dhe zotërinj,
Pse
dola sot të flas në një log burrash të shquar, kryesisht
politikanë e politologë, historianë, analistë, publicistë dhe
botues të shquar dhe, mbi të gjithë, dy ish-Presidentë të
Republikës:
Shkëlqesia
e Tij, prof.dr. Rexhep Mejdani dhe, Shkëlqesia e Tij, zoti Alfred
Moisiu, autori që na ka mbledhur sot në këtë tubim të bukur e me
rëndësi.
Shumë
nga ata që më njohin, ndoshta, edhe mund ta pyesin veten: “Ç’do
një gjuhëtar këtu? Mos ka lajthitur?!”
Jo,
zotërinj, lajthitur nuk kam dhe ju siguroj se dola këtu, jo vetëm
për ta falënderuar autorin që më ftoi në këtë përurim, jo
vetëm për t’i shprehur lavde të merituara dhe fjalë miradije
Presidentit Moisiu, -sigurisht edhe këtë do ta bëj dhe ndjehem i
nderuar që më jepet rasti ta shpreh vlerësimin tim shumë të
lartë për shkrimtarinë e tij, në një tubim kaq meritor, si ky i
sotmi,- por, së pari, dola për ta falënderuar z.Moisiu për
qëndrimin e tij të shpallur e të lëvdueshëm ndaj gjuhës shqipe
si autor librash, po edhe për mbrojtjen
e gjuhës standarde
dhe anësimin
e tij të vyer ndaj gjuhësisë dhe gjuhëtarëve shqiptarë,
pikërisht ashtu si i ka hije një personaliteti të lartë e figure
të shquar të shtetit dhe kombit shqiptar.
Si
Kryetar i Shtetit për pesë vjet radhazi, z.Alfred Moisiu, ka dhënë
shembullin
më të plotvlershëm të shtetarit dinjitar,
i cili në çdo shkrim,
fjalim a ligjërim
të tij
zyrtar
ka gjakuar të zbatojë sa më mirë normat e shqipes së shkruar,
prandaj, sa herë ka qenë rasti, por sidomos kur shikojmë se sa keq
nëpërkëmbet shqipja nga disa zyrtarë të lartë, kam përmendur
rolin e zotit Moisiu dhe, madje, kam shkruar shprehimisht në faqet e
një kumtese e në një prej librave të mi:
“Ashtu
siç është i pashëm dhe i hijshëm, i mbajtur dhe i veshur
sikundër i takon statusit zyrtar që ka si President i Republikës,
ai flet edhe me gjuhë të përpunuar dhe i zbaton në mënyrë
shembullore rregullat e drejtshkrimit, jep shembullin e modelin e
vlerësimit të kulturës gjuhësore dhe normave të shqipes
standarde si shenjë e njësisë dhe unitetit të kombit tonë”.
Por,
këto që thashë, mund të tingëllojnë si fjalë
të përgjithshme
dhe të palidhura me librat e tij. Do t’ju bind se ky Burrë i Madh
i Kombit tonë, edhe
në librat
(e
me librat)
e tij që kemi në dorë, i
ka dëshmuar
konkretisht dhe katërcipërisht anësimin,
vlerësimin
dhe lartësimin
e gjuhës shqipe. Po përmend, së pari, sa shkruan ai në faqen 77
të vëllimit të dytë, një faqe që vlen më shumë se të gjitha
faqet e nxira nga dhjetëra zyrtarë të marra së bashku, dhe po
lejohem ta lexoj:
“Krahas
njohjes me teknikën, duhej menduar mirë edhe terminologjia që do
të përdorej. Për ta pasur më të lehtë përvetësimin, mendova
të përdoreshin sa më pak fjalë të huaja. Gjithmonë
më ka pëlqyer dhe përherë më pëlqen të flas dhe të përdor
në të shprehur fjalë të gjuhës shqipe.
Kështu, duke biseduar me officerët, hap pas hapi, vendosëm
emërtimet e reja; disa duke i huazuar nga terminologjia e marinës,
që përdoreshin në vendin tonë, ndërsa disa i sajonim vetë,
duke u përpjekur që të kishin një kuptim sa më të plotë në
gjuhën shqipe. Në punë e sipër krijoheshin edhe momente humori.
Një ditë, duke biseduar rreth kësaj teme, iu thashë oficerëve që
jo gjithçka mund të emërtohet në gjuhën tonë, sepse mund të
dalin emërtime qesharake. Kështu, iu tregova një rast, se si në
vitin 1944 në Tiranë, një grup intelektualësh morën një nismë
për shqipërimin e emërtimeve të mbartura nga gjuhë të huaja.
Nismëtarët e kësaj pune arritën deri në banalizim të fjalëve,
duke emëruar automobilin “katërrotësh vetëlëvizës”.
Sigurisht që një shqipërim i tillë ishte qesharak. Patjetër
që gjuha duhet ruajtur,
sepse sot, te
ne ka një trend të çuditshëm, sidomos
nga politikanët, që përdorin vend e pavend e me shumicë fjalë të
huaja,
të cilat i kanë sinonimet e tyre në gjuhën tonë dhe
këtë gjë e bëjnë më tepër për të treguar diturinë e tyre.
Jo vetëm kaq, por kohët
e fundit po vihen re disa tendenca për të ndërhyrë në mënyrë
brutale në ”Drejtshkrimin e gjuhës shqipe”. Kjo
bëhet, gjoja për të shmangur vendimet e marra në vitin 1972 në
Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke
i quajtur ato vendime si komuniste.
Në përfundime të tilla mund të arrihet vetëm
nga presioni që mund të bëjnë politikanë jonormalë në
gjykimin se “gjithçka
që vjen nga e kaluara duhet ndryshuar”.
Zoti e ruajt këtë vend nga budallallëqe të tilla, të cilave iu
duhet kundërvënë fuqishëm!” (f.77)
Së
dyti, kësaj që thotë vetë autori do t’i shtoj edhe dy
“rrëfenja” që, në këtë rast, janë pikërisht si qershia mbi
tortë:
Disa
javë më parë, kur autori merrej me ndjekjen e shtypit të vëllimit
të tij më të ri, më ka marrë në telefon nga zyrat e Shtëpisë
Botuese “Toena” për të më pyetur si duhen shkruar shkurtesat
e tipit OSBE-së, SHBA-së, UNRRA-s, NBU-së etj., sepse nuk donte
të lejojë asnjë rast, sado të vogël, të mospërputhshëm me
normat e sotme të standardit.
Kjo
“vogëlimë” në dukje, ka rëndësi themelore, të nderuar të
pranishëm, sepse tregon madhështinë
dhe seriozitetin
e një burri shteti, i cili nuk
lëshon pe as në dukuri të vogla drejtshkrimore,
ndërsa te ne, sikundër nuk kam mënuar ta pohoj e ta kritikoj, për
turp të dheut,
ka ndodhur që deri
në prerjen e monedhave të shtetit ka pasur gabime drejtshkrimore.
Së
treti, dhe me këtë do ta mbyll, presidenti Moisiu, ndjek me shumë
shqetësim qëndrimin
e pamirë
të shoqërisë së sotme ndaj gjuhës, i mbështet gjuhëtarët që
e mbrojnë dhe na inkurajon deri për bisedat në TV. Po ju citoj
vetëm një prej mesazheve të Tij të kohëve të fundit, ku ai më
shkruante mbas një bisede time në një nga kanalet televizive:
“Ju
ndoqa me vëmëndje. Keni kapur një problem vital për gjuhën
shqipe, që rrezikohet nga padija dhe politika.Alfred Moisiu”
Por,
nuk mund ta mbyll me kaq, aq më tepër se, rasti i sotëm, kur
flitet për librat e tij, kërkon të sjell edhe ndonjë shembull nga
shkrimtaria e tij. Dhe kjo është, ndërkaq, si ”fisheku
për ujk”,
siç do të thoshin gjahtarët e Mbishkodrës sime.
Në
f.95-96 zoti Moisiu shprehet edhe për rolin e gjuhëve të huaja
dhe posaçërisht të anglishtes. Po lexoj “diagonal” vetëm një
pjesë (fundin e f.95 dhe fillimin e f.96), ku ai pohon se njohjen e
gjuhës së huaj e konsideron një pasuri.
“Në
një takim, midis të tjerash, i pyeta oficerët se kush dinte gjuhë
të huaja. Dy prej tyre më thanë se kanë njohuri për gjuhën
angleze. Më erdhi mirë që kishin pasion për studimin e gjuhëve
të huaja, pasi njohjen
e gjuhës së huaj, e konsideroj një pasuri.
Më këtë rast dëshiroj të tregoj historinë time të mësimit të
gjuhës angleze…” dhe, aty, gjithashtu, është një nga pjesët
e bukura të librit, ku autori tregon se, asokohe,”dëshirën
e pengonte rregulli,se oficerët nuk mund të mësonin gjuhë të
huaja pa lejen me shkrim nga ministri i Mbrojtjes”.
(f.96)
Lidhur
me këtë fragment, po edhe me disa raste të tjera që shpallen në
libër, desha të shfrytëzoj rastin dhe të ndalem në një kritikë
ndaj qëndrimeve të
pamira,
të
pabukura
dhe të
papërgjegjshme, që
nuk kanë munguar në burokracinë shtetërore shqiptare, kur, pa
qenë as rasti as nevoja,
flitet
në gjuhë të huaja e jo në gjuhën shqipe, në zyrat e shtetit e
në mjediset ku duhej me doemos të flitet shqip.
Përkthyes kemi pasur e kemi shumë, madje mendoj se kemi edhe
shumë të mirë, prandaj sa herë është e nevojshme, përkthimin
le ta bëjnë specialistët dhe të mos lodhen më kot shtetarët.
Thashë “të mos lodhen”, për ta zbutur pakëz kritikën time,
por, menjëherë u pendova, sepse më erdhën në mendje vargjet e
viganit të letrave shqipe, Atë Gjergj Fishtës, i cili, qysh në
kohën e vet shfrynte me force, kundër atyre që duan të tregojnë
sa të ditur janë me anën e gjuhëve të huaja:
“Po
edhe atij, mallkue i qoftë po goja,
qënë
gjuhë të huaj kur s’asht nevoja, flet
e
të vetën len mbas dore!”.
Edhe
lidhur me këtë vështirësi
e përgjegjësi
të përkthimit, libri i zotit Moisiu, gjithashtu, na jep një
“rrëfenjë” domethënëse në f.36 të vëllimit të dytë. (Po
lexoj vetëm “palcën” e fragmentit):
“Kur
iu dha fjala atasheut ushtarak rus, dola afër tij në podium dhe, me
bisht të syrit, përpiqesha të shikoja tekstin e shkruar që ai
mbante përpara. Ai filloi të fliste me fraza të gjata, ku disa
herë u detyrova t’i kujtoja se ishte radha ime për përkthim.
Kështu, unë përktheja kur atij i mbushej mendja të pushonte.
Ndonëse
ishte një ditë e ftohtë shkurti, për të qenë sa më korrekt me
përkthimin, nga sikleti djersita.”
Dhe
krejt së mbrami, për ta mbyllur këtë fjalë timen, jo pse nuk kam
më për të thënë, por për të mos ju lodhur më tej, po pohoj
edhe sa vijon:
Libri
“Kujtime” i z.Alfred Moisiu lexohet me ëndje, ka jetë e shpirt
njeriu, ka elemente të bukura shkrimtarie, ka fakte
e citime të dorës së parë e mbresëlënëse,
ka onomastikë të pasur sa për të shkruar një studim doktorature
rreth saj, sidomos emra dhe shpjegime që të mahnisin, po edhe që
nuk idinim, si p.sh. për toponimi Çuka
e Frëngut
diku te Qafa e Gjerprit, duke sjellë edhe shpjegimin se “i
ka mbetur nga që aty ishin kryer beteja të ashpra midis Ushtrisë
Franceze dhe asaj Austriake gjatë Luftës së Parë Botërore”
(Vëll.II, f. 84), ose sa shkruan lidhur me ndonjë intimitet
antroponimik, si p.sh.vënia e emrit të vajzës së tij, Rubenës
(f. 24 ); citimet e shumta, të
sakta
dhe autentike,
përzier edhe me
elemente të bukura të etnografisë së ligjërimit
e të slloganeve të kohës (si.p.sh.”shfaqje
të huaja”,
“ushtria
e popullit ushtar”
(f.73) çun
Tirane
(f.106, kur flet për Spiro Mëhillin), të cilat unë i vlerësoj,
jo pse janë të tilla (=të bukura), por sepse janë të
Tijat.
Dihet
se shumica e librave të burrave të shtetit ,që kanë titullin
“Jeta
ime”
(angl.My
live”)
vetëm firmën dhe idenë e kanë të vetën, sepse mielli e brumi
janë nga “autorë në hije”.
Zoti
Moisiu na ka vënë përpara vëllimet e tij, të shkruara me dorën
e Tij, por mbi të gjitha me
dijet e tij të sigurta e të shumta,
me profesionalizmin
dhe nderin
e Tij dhe çiltërsinë dhe me
zemrën
e Tij, prandaj unë këtu, dola që ta uroj solemnisht, me një
shprehje që në Malësinë tonë të Mbishkodrës, përdoret vetëm
për këngëtarët e shquar e fjalëbukur: Ju
këndoftë zemra!
Urime
të sinqerta për librat, zoti President.
Dhëntë
Zoti që shembulli Juaj të ndiqet edhe nga të gjithë shtetarët
dhe zyrtarët e tjerë shqiptarë!
Prof.dr.Gjovalin
Shkurtaj
Akademik
i asociuar
Anëtar
i Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe
Tiranë,
19. 12. 2012
No comments:
Post a Comment