Nga Leonora Shkurtaj
Të gjithë u përfshimë në emocionet dhe gazin që na dhanë festat në mënyra të ndryshme. Me një barrë kujtimesh dhe përvojash në fushën e arsimit, si mësuese letërsie dhe si drejtoreshë gjimnazi, por, tashmë, mbi të gjitha si gjyshe e njërës prej nxënëseve të klasës së dytë, u ndodha në ceremoninë e festimeve të 100-Vjetorit të Pavarësuisë në shkollën “Rreze drite” ose, me emërtimin zyrtar: Instituti Arsimor Jopublik “Reze drite”, pranë fshatit “Sos” Tiranë.
Kishte rreth një muaj që Martina, mbesa ime, çdo mbasdreke, me shumë përkushtim e zell, lexonte me zë të lartë dhe mësonte përmendsh vargje të zgjedhura kushtuar Atdheut, që i ishin caktuar për t’i recituar ditën e festës. M’u lut që të shkoja edhe unë për ta dëgjuar, por ndërkaq erdhi edhe ftesa që ma dërgonte vetë presidentja e Institutit, Arjana Kazazi, ish-nxënësja ime në Shkollën e Mesme “Ismail Qemali”. Pra, duhej të shkoja për dy motive të këndshme: për t’ia bërë qejfin mbesës, po edhe për të parë se si e drejton shkollën ajo ish-nxënsja ime e dikurshme, të cilën e mbaj mend se ishte e urtë dhe e zellshme, por edhe aq e prirë për të zotëruar horiozonte të reja ditunore, që e donte shumë letërsinë, por edhe gjuhët e huaja dhe synonte kurdoherë rezultatin më të lartë.
Foto nga projekti me temë: “ Më jep një mbeturinë, të ta kthej në një veper arti.”
Zhvilluar në Parkun Kombëtar të Tiranës, me nxënësit e ciklit të ulët.
Koncerti festiv kushtuar 100-Vjetorit të Pavarësisë ishte mjaft emocionues, ndjenja e freskët dhe çiltërsia e fëmijëve dhe e të rinjve të asaj shkolle, gërshetoheshin këndshëm me patriotizmin e materialeve të përgatitura nga nxënësit, po edhe me krejt mjedisin e veshur aq këndshëm me flamujt dhe ngjyrat e bukura të festës së madhe kombëtare të Pavarësisë. Që nga pamja e jashtme e kostumeve kombëtare, që tregonin larminë e të gjitha krahianve shqiptare, me harmoninë e mrekullueshme të ngjyrave, po edhe me frymën e ritmin e këngëve patriotike e të valleve kombëtare shqiptare, në një skenë magjepsëse. Në mes qëndronte një vajzë e veshur me flmurin kombëtar, që mbulonte gjithë ballorin e skenës dhe krijonte kështu një fantazmagori ngjyrash, ku spikasnin e kuqja dhe zeza e simbolit kombëtar të shqiptarëve.
Nuk e teprojmë po të themi se nuk mbeti njeri në sallë pa u emocionuar e përlotur nga niveli i lartë artistik i shfaqjes, po edhe nga pjesëmarrja masive e shkollarëve, të të gjitha klasave të Institutit. Dhe, teksa isha përhumbur në ndjesinë e bukur të asaj shfaqjeje, me vete thashë se, kur puna gjatë gjithë vitit është mbi baza të shëndosha, atëherë f estat vijnë dhe janë, jo një gjë e shkëputur dhe e rastit, por vijim e pjesë e punës së përditshme. Festat e bukura dëshmojnë për kohën e gjatë që kërkohet për zgjedhjen, përgatitjen dhe realizimin me nivel të gjithçkaje që shfaqet ne skenë.
Shumë interesant dhe me rëndësi është pikësynimi që i ka vënë vetes kjo shkollë: të zbulojë dhe t’i stimulojë talentet e reja midis nxënësve, qysh nga klasat e ciklit të ulët e deri në maturë. Nxënësit përgatisin vjersha, këngë, mësojnë kuriozitete nga historia e së kaluarës, pikturojnë dhe i eksopzojnë krijimet e para, si dhe maketet e punuara në grupe pune. E bukura ishte, gjithashtu, se në këtë veprimtari festive jubileare, morën pjesë së bashku nxënës e mësues, si dhe prindër. Qysh në moshën më të njomë, në klasat e para e të dyta, pastaj edhe në vijim, nxënësit mësojnë të njohin flamurin kombëtar shqiptar, po edhe flamujt e vendeve e kombeve të tjera të Bashkësisë Evropiane, të SHBA-së dhe më gjerë, duke u dhënë atyre një formim të mirë bashkëkohor. Këtij qëllimi, sigurisht, për arsye edhe të tërheqjes së vëmendjes e të fiksimit në memorje, i shërbejnë edhe konkurset e ndryshme midis klasave ose grupeve të nxënësve, që marrin pjesë sipas tematikave të caktuara. Na mbeti në mendje, ndër të tjera, projekti i titulluar “Krenohem me ty”, i cili është realizuar në bashkëpunim të nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Po ashtu, meriton të përmendet edhe ideja e bukur e nxitjes sa më të hershme të kërkimit shkencor, duke organizuar orë të caktuara gjatë të cilave punohet duke shfrytëzuar edhe enciklopedi të ndryshme, duke kërkuar e gjetur aty pikat e vrojtimeve dhe të detyrave me interes dhe me karakter formues e edukues, si dhe me shkallëzimet e nevojshme sipas moshës së nxënësve. Ata diskutojnë për projekte, ndajnë detyra dhe punojnë në grupe, mësohen qysh tani me punën në skuadër, si një nga elementet më të vlefshme të formimit të profesionstëve dhe njerëzve me aftësi orgainzative që i duhen shoqërisë në të ardhshmen. Në fund të vitit shkollor, kjo punë finalizohet edhe me konkurse ndërmjet klasave.
Dhe, së mbrami, por jo për nga rëndësia.Sot në mbarë botën e globalizuar, është problem largimi i të rinjve nga libri, për shkak të forcës thithëse e ndikuese të televizionit dhe sidomos të internetit e rrjeteve sociale. Pra, puna e shkollës sot shquhet dhe do të ketë rezultate të mira sa më shumë të synojë e t’ia mbërrijë të edukojë tek të rinjtë dashurinë për librin, lidhjen me leximin e faqes së botuar në letër, duke mos mbetur ata robër të vetëm të asaj që marrin nga interenti dhe botimet “on-line”. Dhe, lidhur me këtë, ia vlen të përmendim përvojën e mirë të kësaj shkolle me anën e “orës së leximit të librit artistik”, e cila zhvillohet çdo ditë. Nëpërmjet leximit të librave, po edhe nëpërmejt diskutimeve rreth tyre, nxënësit nxiten të lexojnë dhe të kënë sa më shumë lidhje me librin. Me të vegjlit, aty zhvillohet edhe gara e titulluar “Kush e mbaron së lexuari librin më shpejt?”, duke e shoqëruar këtë edhe me stimuj moralë, si p.sh. shpallja “lexuesi më i mirë” dhe dhënia e një certificate a dëshmie të thjeshtë, si forma që nxisin zellin e të lexuarit.
Në lëndët e përpikëta, gjithashtu, shkolla zhvillon olimpiada, si në matematikë, fizikë etj., duke pasur kështu një hapësirë të gjerë mundësish për t’i vënë të rinjtë në provë e në garë për rezultate sa më të mira.
Mësuam se, tani, në shkollën “Rreze drite” sapo ka filluar edhe projekti “Të folurit në publik”. Qëllimi i këtij projekti është të aftësuarit e fëmijëve për të folur në publik, për të të ditur elementet më të domosdoshme të gojëtarisë dhe, mbi të gjitha, për t’i mësuar të mos kenë emocione e ndrojtje nga mikrofoni ose nga të folurit në mjedise pubile. Kjo përgatitje nuk është thjesht ushtrim gjuhe a ligjërimi, por një përgatitje shumë e efektshme për jetën, e cila i bën të rinjtë të aftë e të atillë që të jenë të suksesshëm në jetë, të dinë të shkruajnë, po edhe të flasin bukur dhe sidomos në përshtatje me mjediset e nivelet e caktuara të jetës bashkokohore.
Serioziteti, niveli i lartë i drejtimit dhe përfshirja sa më e gjerë në mbarëvajtjen e shkollës, jo vetëm e mësuesve, po edhe e prindërve, bën që kjo shkollë të ketë rezultate të larta. Ajo përmendet me të drejtë si një nga shkollat me emër shumë të mirë në qytetin e Tiranës.
Faleminderit atyre që u bënë shkas të vija në këtë aktivitet shumë të bukur: Martinës së vogël dhe ish-nxënëses sime, Arjana Kazazi, sot presidente e denjë e një instituti modern e bashkëkohor, siç është Instituti Arsimor Jopublik “Reze drite”, pranë fshatit “Sos”.
No comments:
Post a Comment