Sunday, November 6, 2016

Emisioni 18: Pararendës të sociolinguistikës shqiptare


Ide të hershme për një qëndrim a konceptim sociolinguistik të gjuhës ka pasur edhe në radhët e gjuhëtarëve shqiptarë. Mund të përmendim, sidomos, Atë Justin Rrotën me mendimet e vlerësimet e tij rreth mundësisë që ka njeriu për ta “dredhë giuhën” sipas rastit e bashkëbiseduesit dhe Eqrem Çabejn për lidhjen e gjuhës dhe seksit në të ashtuquajturën prej tij “të folët e grave”.
Atë Justin Rrotës i takon merita që, ndonëse shumë kohë para se të lindte sociolinguistika si disiplinë më vete dhe, madje, para se të krijohej termi përkatës për emërtimin e saj (që, do ta kishim vetëm aty nga viti 1952), me formulimin e tij të qartë kushtuar zhvillimit të gjuhës, t’ia ketë çelur shtigjet asaj me largpamësi. Për të faktuar sa më lart, po citojmë vetëm një pjesë të konceptimit të Atë Justin Rrotës lidhur me ndryshimin dhe zhvillimin e gjuhës apo sikundër e thoshte ai Gjuha shkon tue bam ato ndryshimet e veta (në “Hylli i Dritës”, 1931, nr. 3, f. 121-133).
Ai vepron aty me vizionin e shëndoshë të aftësisë së folësit “për ta dredhë gjuhën në dialekt dhe, anasjelltas, për të folur në gjuhën letrare kur e lyp nevoja e jo në dialekt të ngushtë, gjë që e bën atë një pararendës të konceptit të sotëm martineian të “bilinguizmit dialektal”. Për t’u bindur për këtë le të citojmë një fragment nga nënkreu “Gjuhën e përban populli”, ku ai thotë shprehimisht:
“T’u ndeshmen na, b. f., në nji qytetar e sidomos në nji katundar të Bavjerës, të Prusjes a të Saksonjës; jase në nji italian të Pjemontit, të Puljes a të Kalabrisë, ai ka për të folë me ne po njat gjuhë gjermanishte a italishte, qi dijmë prej librash së tyne. Por, po t’a sjellmen shpinën prej nesh, ai me nji herë, në familje, në lagje, në katund a qytet, me shokë të vet, e dredhë gjuhën në dialekt. E pra, kanë kalue shekuj qyshse u themelue gjuha letrare gjermanishte apo italishte.
Vlerësimi i Atë Justin Rrotës si pararendës i sociolinguistikës ka pasur e ka mëtimin që të dëshmohet se, edhe shqiptarët, ndonëse një popull i vogël (e me kufizimet e ditura për shkak të kushteve ekonomiko-shoqërore e sidomos të pushtimeve shumëshekullore prej të huajve), kanë qenë pranë dijes e letrave. Rastin e Justin Rrotës, si dhe të shumë burrave të shquar të tjerë, që kanë dalë prej viseve shqiptare, duhet të guxojmë t’i pohojmë me krenari kur është rasti. Idetë e lartpërmendura qëndrojnë krahas me ndihmesat e pararendësve të tjerë të kësaj disipline, qoftë edhe duke e ditur mirë se ka një dallim të madh ndërmjet vetëdijshmërisë së vagët rreth një problemi dhe kërkimit sistematik për studimin e tij. Mund të pohohet se kundrimet dhe mendimet e shprehura nga Atë Justin Rrota mbeten edhe sot e gjithë ditën me vlerë.
 Ky studiues, qysh atëherë, ka pasur një vizion vërtet modern rreth zhvillimit gjuhësor e kalimeve të ndërsjella, nga gjuha e njësuar në dialekt (dhe anasjelltas), sipas rastit e nevojave shprehëse. Dhe kjo e lartëson shumë figurën e tij si gjuhëtar e si vizionar. Kur Atë Justin Rrota thotë, ndër të tjera: “Kurrkush mos t’a lëshojë at dialektin e vet kudo të gjindet”, kjo duhet lexuar, kuptuar e interpretuar për së mbari: idiolekti apo e folmja e çdo individi modelohet dhe formësohet më së pari në gji të një bashkësie të vogël: në familje dhe në rrethin e ngushtë familjar e shoqëror, pastaj del në një rreth më të gjerë të të folurit në bashkësinë më të parë shoqërore, e cila, në çdo vend e në çdo kohë, ka qenë e do të jetë e atillë që pasqyron rrethanat e mjedisit përkatës. Me fjalë të tjera, fëmija niset në shkollë duke pasur vetëm dialektin e vet, vetëm atë të folme që i është mësuar qysh kur ishte në djep nga nëna dhe familjarët që e rrethojnë, porse në shkollë dhe gjatë gjithë jetës ai do ta zgjerojë hapësirën e komunikimit të tij, duke u mësuar që, sipas rastit e kushteve, pikërisht ashtu si na thotë Atë Justini, do t’i duhet “me e dredhë gjuhën” nga dialekkti në standard, ashtu si edhe nga gjuha e vet amtare në gjuhë të huaja, që puna do t’ia dojë t’i mësojë e t’i ushtrojë si “gjuhë buke”.
Bashkimi i gjuhës asht bashkimi i mendimit, i ndiesive e i karakterit kombtar. Populli e ka ba detyrën e vet, ka ruejtë gjuhënshka gjejm të mirë në një krahinë s’do të kursehemi ta pranojmë edhe na për të mirë të përbashkët. Shtojmë se, qysh në atë kohë, idenë e bukur të aftësisë së njeriut “për ta dredhë gjuhën”, e zbatoi praktikisht, me ligjerata te lira, edhe Atë Anton Harapi, që shkroi gjashtë ligjerata në toskërisht dhe i mbajti në vitin 1936 me intelektualët e Korcës.
2.Ndonjë ide me vlerë sociolinguistike, ndonëse pa e përmendur dhe, natyrisht, pa e ditur se po mëkëmbej ajo disiplinë, ka shprehur edhe albanologu i njohur polak Vaklav Cimohoski, në studimin e së folmes së Dushmanit. Duhet ta themi se, përtej vlerave mirëfilli dialektologjike për njohjen dhe fiksimin e një të folmeje të rëndësishme të gegërishtes veriore, në një farë mënyre, në atë vepër u hodh “fara” e mbarë për të kundruar edhe disa aspekte të lidhura me larminë shoqërore dhe ndërshtresore të të folmeve të shqipes, ndonëse pa e pasur atë as qëllim, as mëtim metodologjik të tij, por si një shtysë e pjesë të punës për të mbërritur një përshkrim sa më të qartë e të besueshëm.
3.Eqrem Çabej, qe i pari ndër gjuhëtarët shqiptarë të Pasluftës së Dytë Botërore, që përmendi “të folët e grave” dhe shkroi rreshtat më të parë kushtuar eufemizmave të shqipes, duke na shpënë kështu në atë fushë të pëlleshme të etnolinguistikës, që ne do ta quanim si “reparti pararojë” i etnografisë së të folurit grarisht.
Shqyrtimet e sotme etnolinguistike dhe ato sociolingustike, qoftë përsa u takon marrdhënieve gjuhë-gjini (seks), qoftë edhe për lidhjet gjuhë-mendësi (mentalitet), mund të jenë edhe për shumë kohë të frytshme për studimin e aspekteve të ergologjisë dhe të kulturës shiprtërore të popullit, sidomos i një populli që ka ruajtur më vonë se kushdo tjetër në Evropë, dukuri të vjetra e, madje, shumë të vjetra që shfaqen edhe në gjuhën e tij. Eufemizmat, sikundër ka ideuar në kohën e vet prof.E.Çabej dhe siç jemi përpjekur ta shpiem më tej në studimet tona, mund të konsiderohen si “reparti pararojë” e dëshmues i së folmes së grave ose i ligjërimit grarisht, sikundër po quhet më shpesh në studimet më të reja.
4.Me vlerë në kundrimet e mëpastajme sociolinguistike dhe rreth marrëdhënieve dialekt-gjuhë standarde, duhet përmendur ideja e Selman Rizës rreth “toskërishtes së folur prej gegëve”. Mund të shihet aty një vizion i shëndoshë i bashkarisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, si një konceptim që do të thotë: një gjuhë shqipe e normëzuar sipas një modeli të toskërishtes letrare, që duhet zbatuar gjithandej në drejtshkrim e në trajtat morfologjike, por që do të vihet në gojën e të gjithë shqiptarëve, por  edhe me mundësinë (dhe domosdoshmërinë) që të shkojë kurdoherë duke u lëmuar, gdhendur e përmirësuar sipas prurjeve të fuqishme nga qendrat e nga krahinat.
5. Në grupin e pararendësve të sociolinguistikës shqiptare i takon të përfshihet edhe Qemal Haxhihasanit, folklorist i shquar dhe dialektolog, i cili, në vitet ’60, ndërmori studimin e të folmeve të fshehta të shqipes apo, sikundër i quante ai, “të folmet shoqërore”, duke i parë ato me të drejtë si pjesë të dialektologjisë sociale dhe bëri përshkrimin e tyre mjaft të hollësishëm e që do të mbetej si studimi kryesor i ligjërimeve argotike të shqipes. (“St.fil.” 1964, 1,2,3).
6.Për herë të parë, një libër kushtuar sociolinguistikës në gjuhën shqipe do ta kishim vetëm me tekstin e Gj.Shkurtajt, Sociolinguistika, SHBLU, Tiranë, 1996 dhe me variantin më të gjerë të tij më 1999[1]. Një paraqitje edhe më të thelluar, si dhe me prurje më të shumta nga lidhjet e ligjërimit me faktorët shoqërorë e me grupimet e ndryshme moshore, gjinore, profesionale, fetare dhe me taktikat e strategjinë e ligjërimit do të jepej në librin tjetër “Etnografi e të folurit të shqipes”, SHBLU,Tiranë, 2004; 2009, si dhe botimi i dytë me titull “Sociolinguistkë e shqipes”-Nga  dialektologjia  te etnografia e të folurit, Botimet Morava, 2009 (425 f.). Këta libra, kanë pasur njohje e rrezatim të gjerë në botën universitare, duke shërbyer si bazë e lëndës së sociolinguistikës, po edhe si kah i ri pune për një numër gjithmonë e më të madh studuiuesish më të rinj, nga të gjitha trevat shqiptare.
Këto shpjegime dhe argumentimet përkatëse do t’i gjeni në librin tonë Sociolinguistikë e shqipes- Nga dialektologjia te etnografia e të folurit”,(Koncepte bazë të sociolinguistikës shqiptare), Tiranë,2013, faqe 27-34.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe mirudëgjofshim në emisionin e ardhshëm.



[1]. Shih:Gj.Shkurtaj, Sociolinguistika (botim i parë), SHBLU, Tiranë, 1999 dhe 2003 (ribotim).

Wednesday, October 26, 2016

Profesorët vdesin, por mësimet dhe ndihmesat e tyre të vyera rrojnë përjetë

(Dhimbje e pikëllim i thellë për ndarjen nga jeta të akademikut  Alfred Uçi)

Me dhimbje e pikëllim të thellë  morëm kumtin e zi të ndarjes nga jeta të akad. Alfred Uçit, profesorit të shquar të filozofisë dhe estetit të mirënjohur, dijetarit të madh dhe autorit të një vargu  veprash studimore,   mirënjohura e të mirëpritura nga studiuesit dhe lexuesit, si: “Estetika, jeta, arti” (1976), “Mitologjia, folklori, letërsia”(1982), “Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës” (1986), “Estetika” (në tri vëllime, 1986-1988),”Shekspiri në botën shqiptare” (1996),  “Dostojevski në kohën tonë” (1977), “Ferr-parajsa danteske” (1998), “Prometeu dhe Hamleti” (greqisht, Athinë,1998), “Grotesku kadarean” (1999), “Estetika e groteskut”(4 vëllime,Tiranë, 2000), “Estetika në letërsinë shqipe” (2001),  “Pesë të mëdhenjtë e  letërsisë shqipe në optikën e një rileximi (N.Frashëri, Gj.Fishta, F.Konica, M.Kuteli, Migjeni), Shkup, 2003; “Filozofia e Teodor Kavaliotit” (2004), “Estetika e folklorit” (2007), “Universi estetik” (3 vëllime, 2004-2007), “Estetika metateorike mbi artin” (2 vëllime, 2008). Më 2014, prof.Alfred Uci  botoi edhe monografinë e gjerë “Estetika migjeniane-Fryma moderne në  letërsinë  shqipe ”. Dhe, sikur të mos mjaftonin ai mal me vepra që përmendëm,  pak muaj më parë doli shtypi një studim tjetër të gjerë kushtuar jetës dhe veprës së Jani Vretos, në serinë e botimeve të Akademisë sonë të Shkencave.

Ti ike, Profesor i nderuar dhe mik i shtrenjtë e i dashur, por mbeten kujtimet e bukura dhe vlerësimi meritor i  brezave të ish-studentëve Tu, tashmë të moshuar e me grada e tituj shkencorë, ithtarë e nderues të veprave dhe shembullit të lartë që na ke dhënë për më se gjysmë shekulli, si mësimdhënës mendimkthjellët, si drejtues  i zoti e mendjehapët i Ministrisë së Kulturës dhe i Institutit të Kulturës Popullore për shumë vjet radhazi, si mbrojtës i palëkundshëm i vlerave atdhetare të kulturës popullore dhe  letërsisë artistike shqiptare, po edhe si Burrë tipik shqiptar, si njeri fisnik dhe mendimtar i urtë dhe tepër i rrallë.

Të qoftë  lehtë dheu i tokës shqiptare, ku jetove dhe kontribuove me ndershmëri, duke u shquar  si autor i një mali me vepra të rëndesishme e të pavdekshme.

Saturday, September 3, 2016

Visa for a saint

published on Fox News Opinion

I was a minister-counsellor for cultural affairs in the embassy at the time. It was during a period when the weakened communist government of Albania was allowing breezes of pluralism to blow through the bureaucracy.
It had taken Mother Teresa two decades and an intense personal tragedy to get that permission. Her long ordeal started in late 1960s when her mother Drane and sister Age were living in Tirana, the Albanian capital. Her mother was ailing. Mother Teresa wanted to see her before she died.
She used a variety of powerful friends, from presidents to foreign ministers, to plead with Enver Hoxha’s insular communist regime to grant her mother a 30-day visa and permission to leave the country. -- The hope was that the elderly woman would be able to visit her daughter in Rome and enter a hospital.

Saturday, August 6, 2016

Emisioni 17 - Gjuha në këngët e Alban Skënderajt



Dëgjova këto ditë disa nga këngët më të reja të Alban Skënderajt, të cilin, qysh kur ka nisur të bëjë emër si këngëtar e deri tani që po shquhet si një nga më të mirët, e kam pëlqyer se është zëbukur e fjalëbukur, po e kam pëlqyer edhe për shqiptarinë e tij, e kam vlerësuar dhe e vlerësoj për mbështetjen e plotë në truallin kombëtar, por, mbi të gjitha, për gjakimin e tij tashmë të pohuar e të ditur nga të gjithë, si këngëtar shqiptar, si djalë shqiptar. 

Edhe pse ka vite që jeton e punon më shumë jashtë se në atdhe, Alban Skënderaj është kudo e kurdoherë shqiptar, që Vlorën e Shqipërinë i ka kurdoherë e kudo me vete: në zërin e tij të mrekullueshëm, në fjalët e larminë e teksteve të këngëve të tij, si dhe në qëndrimin, në shpirtin e në etnografinë e të folurit “shqiptarisht”. Dhe, për të mos mbetur jashtë “trendy-t” terminologjik të sotëm, po them se Alban Skënderaj, në krejt “performancën“ e tij, më të parën gjë lakmon të qenët shqiptar, të qenët bir i denjë i tokës sonë, paçka se është tashmë aq i kudogjendur në mjediset e diasporave shqiptare të hershme e të reja në Evropë e në mbarë Botën.