(Kënaqësi dhe
ndjesi të këndshme nga fjalët, ndërthurja dhe performanca e këngës “Ma thuaj
ti”)
Kënga qysh në agimet e shoqërisë njerëzore ka qenë shfrim i shpirtit, jehonë e këndshme që del nga thellësitë e shpirtit njerëzor dhe që, pikërisht si e tillë, ajo ka qenë dhe vijon të jetë edhe shoqëruese e të gjitha bëmave e veprimtarive të njeriut, qysh kur lind dhe dëgjon ninullat e ëmbla të nënës, pastaj edhe gjatë gjithë jetës, madje edhe gjatë punës, duke e përballuar mundimin e lodhjen fizike me tinguj e këngëve apo me këngëzime zanore ose të fishkëllyera , që ia përtërijnë fuqitë; po edhe kur njeriu plaket e shkon drejt muzgut të jetës, deri sa të mbulohet me dhe, kënga nuk i ndahet.
Pra, prej ninullave deri te vajet që përbëjnë një nga pasuritë më të çmueshme të trashëgimisë gojore të popullit shqiptar. Le të përmendim,një për të gjitha, vajtimin e Eposit “Ajkuna qan Omerin”, një nga shfrimet më genuine e të mrekullueshme të gjenisë krijuese e artistike të popullit tonë. Në fakt, nuk ka qenë aspak e rastit, por një vlerësim i ardhur nga njohja dhe shqyrtimi i vlerave ligjërimore, artistike dhe etnokuturore që Eposi i Kreshnikëve është vlerësuar e pranuar tashmë si krijimtari e atillë që mund të shpallet si trashëgimi kulturore e mbrojtur nga UNESCO-ja. Kjo, sigurisht, ka në themel rrethanën e plotvlershme se këngët e vallet e kënduara të popullit shqiptar, në tërë larminë dhe shumëllojshmërinë e tyre, kanë qenë dhe vijojnë të jenë pjesë e tregues i vlerave etnokulturore të popullit shqiptar.
Dhe, në fakt, kur këngët e reja shkojnë në
shtratin e mbarë të traditës shqiptare, që vënë në muzikë fjalë të pikuara nga
zemra dhe që prekin edhe plagë a probleme shqetësuese të kohës, qoftë të jetës
së përditshme familjare, qoftë edhe të dukurive më të mëdha me karakter shoqëror
e problemor, gjejnë menjëherë pranim e pëlqim. Natyrisht është mirë kur edhe në
garat a festivalet e këngës, çmimet shkojnë për krijime të atilla,sikundër është
edhe kënga “Ma thuaj ti” e Rozana Radit, fituese meritore e “Kënga magjike, 2016”.
Rozana solli një këngë tjetër shumë të bukur, pa
asnjë mëdyshje me vlera të larta
interpretuese, mbështetur në fjalë që ta çojnë zemrën peshë, po edhe që ka kohë
që kishin filluar të rrallohen në muzikën e re shqiptare. Zonja Radi, e cila përveç
cilësive të shkëlqyeshme zanore
(vokale), ka edhe një dhunti të fortë e të dukshme prej aktoreje, cilësi që e bëjnë
të jetë një këngëtare shumë origjinale dhe me një magji të vërtetë
interpretative, duke fituar atë që quhet
tashmë performancë e përkryer në artin e këngës.
Që nga kreu deri në mbarim të këngës, si nga
zgjedhja e fjalëve ,ashtu edhe nga sasia e anaforave të mbledhura enkas e që ia shtojnë fuqinë ndikuese tekstit, dëgjuesin
e mbulon një ndjesi shumë drithëruese dhe që,përtej hijeshisë dhe performancës
së qëlluar aq bukur me interpretimin e bigëzuar të këngëtares dhe vogëlushes me
kukullën në duar, duke ia fituar plotësisht pëlqimin dhe pranimin se aty ka
art dhe talent të vërtetë,po edhe vlera
të mira etike e shoqërore bashkëkohore.
Dëgjojeni dhe lexojeni edhe ju,
dëgjues të dashur, këtë këngë të Rozana Radit. Mua më pëlqeu, uroj t’ju
pëlqejnë edhe juve, por unë, si gjuhëtar dhe dashamirë i këngëtarëve të tillë,
duke i uruar të ketë suksese të mëtejshme, po edhe duke e përgëzuar Rozanën për performancën e saj aq
të pëlqyeshme, duke iu lutur të më mirëkuptojë do t’i thosha që dëshira dhe këshilla ime
dashamirësi si gjuhëtar do të ishte që tekstet edhe të redaktohen më mirë.
Kënga “Ma
thuaj ti” është shumë e bukur,por edhe
ajo i ka shenjat e asaj pakujdesie që po tregon prej vitesh shoqëria shqiptare
ndaj zbatimit të rregullave të drejtshkrimit dhe normave të shqipes standarde.
Për shembull, vargu “Thuaja ti fëmijës tonë që nuk ju dua”, duhej të ishte:
“Thuaja ti fëmijës sonë që nuk ju dua”. Po ashtu vargu “Ta them unë ty kush është motiv për të jetuar”, duhej
të ishte ”Ta them unë ty cili është motiv për të jetuar”. Nuk
mungojnë edhe shmangie të tjera, natyrisht, të vogla,nga norma
drejtshkrimore e drejtshqiptimore e sotme, si u çmënda, vëndin, që duheshin me e e jo me ë përkat. u çmenda, vendin.
Sado të vogla e të rralla qofshin, shmangie të tilla në këngët e bukura
bien në sy për mungesë kujdesi dhe,për këtë arsye, përsëri ngulim këmbë se tekstet
e këngëve duhen shkruar me ndjenjë e frymëzim, sikundër është edhe kënga “Ma
thuaj ti”, por edhe duhen redaktuar nga njohës të mirë të gjuhës e të metrikës
së shqipes, në mënyrë që tekstet të kenë cilësinë më të lartë të mundshme,sepse
ato do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në kulturën gjuhësore të masave të gjera
të artdashësve.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe mirudëgjofshim në emisionin e ardhshëm.