(Dhimbje e
pikëllim i thellë për ndarjen nga jeta të akademikut Alfred Uçi)
Me dhimbje e pikëllim të thellë morëm kumtin e zi të ndarjes nga
jeta të akad. Alfred Uçit, profesorit të shquar të
filozofisë dhe estetit të mirënjohur, dijetarit të madh dhe autorit të një
vargu veprash studimore, të mirënjohura e të mirëpritura nga studiuesit dhe
lexuesit, si: “Estetika, jeta, arti” (1976), “Mitologjia, folklori,
letërsia”(1982), “Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës” (1986),
“Estetika” (në tri vëllime, 1986-1988),”Shekspiri në botën shqiptare”
(1996), “Dostojevski në kohën tonë”
(1977), “Ferr-parajsa danteske” (1998), “Prometeu dhe Hamleti” (greqisht,
Athinë,1998), “Grotesku kadarean” (1999), “Estetika e groteskut”(4
vëllime,Tiranë, 2000), “Estetika në letërsinë shqipe” (2001), “Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën e një rileximi
(N.Frashëri, Gj.Fishta, F.Konica, M.Kuteli, Migjeni), Shkup, 2003; “Filozofia e
Teodor Kavaliotit” (2004), “Estetika e folklorit” (2007), “Universi estetik” (3
vëllime, 2004-2007), “Estetika metateorike mbi artin” (2 vëllime, 2008). Më
2014, prof.Alfred Uci botoi edhe
monografinë e gjerë “Estetika migjeniane-Fryma moderne në letërsinë
shqipe ”. Dhe, sikur të mos mjaftonin ai mal me vepra që përmendëm, pak muaj më parë doli shtypi një studim
tjetër të gjerë kushtuar jetës dhe veprës së Jani Vretos, në serinë e botimeve
të Akademisë sonë të Shkencave.
Ti ike, Profesor i nderuar dhe mik i shtrenjtë e i dashur,
por mbeten kujtimet e bukura dhe vlerësimi meritor i brezave të ish-studentëve Tu, tashmë të moshuar
e me grada e tituj shkencorë, ithtarë e nderues të veprave dhe shembullit të
lartë që na ke dhënë për më se gjysmë shekulli, si mësimdhënës mendimkthjellët,
si drejtues i zoti e mendjehapët i
Ministrisë së Kulturës dhe i Institutit të Kulturës Popullore për shumë vjet radhazi,
si mbrojtës i palëkundshëm i vlerave atdhetare të kulturës popullore dhe letërsisë artistike shqiptare, po edhe
si Burrë tipik shqiptar, si njeri fisnik dhe mendimtar i urtë dhe tepër i rrallë.