Populli shqiptar mund të karakterizohet si artist
dhe poet në shpirt. Edhe në kohët më të mugëta, edhe në ditët më të errëta të
historisë së tij, populli ka ngritur këngë për heronjtë e bëmat e tyre, ka
thurur legjenda, ka krijuar fjalë të urta e përralla me bukuri të atillë që
mahnitin lexuesin dhe studiuesin. Edhe në lëmin e fjalës, ai përpiqej ta
shprehte këtë botë me legjenda e me përralla, me mjete jo gjithmonë të pasura e
të përpunuara. Kurse sot, nga lartësi të reja, me larmi e begati stilesh, me
një gjuhë plastike e të njësuar, të lëvruar, të pasuruar e të pastruar, të
shkathët, të zhdërvjellët e me figurshmëri, krijuesit tanë më të mirë
pasqyrojnë jetën me vepra të atilla artistike, të cilat u krijojnë lexuesve
kënaqësi të veçanta estetike. Në gjuhën letrare shqipe janë sot të përkthyera
edhe kryevepra të letërsisë botërore. ”Gjuha e letërsisë artistike përbën
stilin a variantin më të gjerë e më të larmishëm të gjuhës sonë letrare
kombëtare. Ajo ka gjithashtu mundësitë më të mëdha për të qëndruar fort në
truallin e gjuhës popullore e për t’u ushqyer prej saj dhe njëkohësisht për t’u
lidhur më ngusht me traditën e gjuhës letrare, sepse në asnjë fushë gjallëria e
forca e gjuhës letrare nuk është aq e fuqishme e jetëgjatë sa në letërsinë
artistike”[1].
[1] Shih: A. Kostallari, “Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka
jonë”, (Referat), Tiranë, 1984, f.38.
[1] A. Xhuvani, Vepra,
vëll. I, 1980, I, 1980, f. 33.