Friday, December 16, 2016

Emisioni 19: Gjuha në këngën "Ma Thuaj Ti" të Rozana Radit

(Kënaqësi dhe  ndjesi të këndshme nga fjalët, ndërthurja dhe performanca e këngës “Ma thuaj ti”)



Kënga qysh në agimet e shoqërisë njerëzore ka qenë shfrim i shpirtit, jehonë e këndshme  që del nga thellësitë e shpirtit njerëzor dhe që, pikërisht si e tillë, ajo ka qenë dhe vijon të jetë edhe shoqëruese e të gjitha bëmave e veprimtarive të njeriut, qysh kur lind dhe dëgjon ninullat e ëmbla të nënës, pastaj edhe gjatë gjithë jetës, madje edhe gjatë punës, duke e përballuar mundimin e lodhjen fizike me tinguj e këngëve  apo me këngëzime zanore ose të fishkëllyera , që ia përtërijnë fuqitë; po edhe kur njeriu plaket  e  shkon drejt muzgut të jetës, deri sa të mbulohet me dhe, kënga nuk i ndahet. 

Pra, prej ninullave deri te vajet që përbëjnë një nga pasuritë më të çmueshme të trashëgimisë gojore të popullit shqiptar. Le të përmendim,një për të gjitha, vajtimin e Eposit “Ajkuna qan Omerin”, një nga shfrimet më genuine e të mrekullueshme të gjenisë krijuese  e artistike të popullit tonë. Në fakt, nuk ka qenë aspak e rastit, por një vlerësim i ardhur nga  njohja dhe shqyrtimi i vlerave ligjërimore, artistike dhe etnokuturore që Eposi i Kreshnikëve është vlerësuar e pranuar tashmë si  krijimtari e atillë që mund të shpallet si trashëgimi kulturore e mbrojtur nga UNESCO-ja. Kjo, sigurisht, ka në themel rrethanën e plotvlershme se këngët e vallet e kënduara të popullit shqiptar, në tërë larminë dhe shumëllojshmërinë e tyre, kanë qenë dhe  vijojnë të jenë pjesë   e tregues i vlerave etnokulturore të popullit shqiptar.


Dhe, në fakt, kur këngët e reja shkojnë në shtratin e mbarë të traditës shqiptare, që vënë në muzikë fjalë të pikuara nga zemra dhe që prekin edhe plagë a probleme shqetësuese të kohës, qoftë të jetës së përditshme familjare, qoftë edhe të dukurive më të mëdha me karakter shoqëror e problemor, gjejnë menjëherë pranim e pëlqim. Natyrisht është mirë kur edhe në garat a festivalet e këngës, çmimet shkojnë për krijime të atilla,sikundër është edhe kënga “Ma thuaj ti” e Rozana Radit, fituese  meritore e “Kënga magjike, 2016”.

Rozana solli një këngë tjetër shumë të bukur, pa asnjë mëdyshje me vlera  të larta interpretuese, mbështetur në fjalë që ta çojnë zemrën peshë, po edhe që ka kohë që kishin filluar të rrallohen në muzikën e re shqiptare. Zonja Radi, e cila përveç cilësive të shkëlqyeshme  zanore (vokale), ka edhe një dhunti të fortë e të dukshme prej aktoreje, cilësi që e bëjnë të jetë një këngëtare shumë origjinale dhe me një magji të vërtetë interpretative, duke  fituar atë që quhet tashmë performancë e përkryer në artin e këngës.

Që nga kreu deri në mbarim të këngës, si nga zgjedhja e fjalëve ,ashtu edhe nga sasia e anaforave të mbledhura enkas  e që ia shtojnë fuqinë ndikuese tekstit, dëgjuesin e mbulon një ndjesi shumë drithëruese dhe që,përtej hijeshisë dhe performancës së qëlluar aq bukur me interpretimin e bigëzuar të këngëtares dhe vogëlushes me kukullën në duar, duke ia fituar plotësisht pëlqimin dhe pranimin se aty ka art  dhe talent të vërtetë,po edhe vlera të mira etike e shoqërore bashkëkohore.

Dëgjojeni dhe lexojeni edhe ju, dëgjues të dashur, këtë këngë të Rozana Radit. Mua më pëlqeu, uroj t’ju pëlqejnë edhe juve, por unë, si gjuhëtar dhe dashamirë i këngëtarëve të tillë, duke i uruar të ketë suksese të mëtejshme, po edhe duke  e përgëzuar Rozanën për performancën e saj aq të pëlqyeshme, duke iu lutur të më mirëkuptojë do t’i thosha që dëshira dhe këshilla ime dashamirësi si gjuhëtar do të ishte që tekstet edhe të redaktohen më mirë.

Kënga  “Ma thuaj ti”  është shumë e bukur,por edhe ajo i ka shenjat e asaj pakujdesie që po tregon prej vitesh shoqëria shqiptare ndaj zbatimit të rregullave të drejtshkrimit dhe normave të shqipes standarde. Për shembull, vargu “Thuaja ti fëmijës tonë që nuk ju dua”, duhej të ishte:  “Thuaja ti fëmijës sonë që nuk ju dua”. Po ashtu vargu “Ta them unë ty kush është motiv për të jetuar”, duhej të ishte ”Ta them unë ty cili është motiv për të jetuar”.  Nuk mungojnë edhe shmangie të tjera, natyrisht, të vogla,nga norma drejtshkrimore e drejtshqiptimore e sotme, si u çmënda, vëndin,  që duheshin me e e jo me ë  përkat. u çmenda, vendin.

Sado të vogla e të rralla qofshin, shmangie të tilla në këngët e bukura bien në sy për mungesë kujdesi dhe,për këtë arsye, përsëri ngulim këmbë se tekstet e këngëve duhen shkruar me ndjenjë e frymëzim, sikundër është edhe kënga “Ma thuaj ti”, por edhe duhen redaktuar nga njohës të mirë të gjuhës e të metrikës së shqipes, në mënyrë që tekstet të kenë cilësinë më të lartë të mundshme,sepse ato do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në kulturën gjuhësore të masave të gjera të artdashësve.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe mirudëgjofshim në emisionin e ardhshëm.

Sunday, December 11, 2016

Një koleg e mik i mirë na la

(Fjalë pikëllimi për ndarjen nga jeta të prof.dr.Pavli Haxhillazit)

Një sms prej të afërmve na solli kumtin e trishtuar se sot në mëngjes, më datën 10 dhjetor 2016, u nda së gjallësh Pavli Haxhillazi, kolegu ynë i vjetër në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, mik i dashur prej këtu e gjysmë shekulli, me të cilin na lidhin përvoja e kujtime të shumta. Bashkë me Verën, bashkëshorten e tij të nderuar, kanë qenë edhe krushq në dasmën tonë dhe, qysh atëherë, kemi qenë në miqësi e shkëmbime të ngushta jo vetëm shkencore,si kolegë pune, po mbi të gjitha si dy miq që na shkonte mirë fjala dhe takoheshim gjithmonë, edhe mbas daljes në pension, me po atë mall djaloshar, si kur kemi qenë në moshën e re.

Pavli Haxhillazi për të gjith ata që e kanë njohur dhe që i kanë marrë në dorë Fjalorët e Shqipes, ku ai ka qenë bashkautor, do të përmendet si një leksikolog e leksikograf me përvojë të gjatë e me ndihmesa të rëndësishme, së pari, si bashkautor në “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”(me rreth 45000 fjalë), Tiranë,1980, me 2273 faqe; pastaj edhe bashkautor i “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë,2006, me 1250 faqe. Në bashkautorësi me Sulejman B.Ahmetin, botoi edhe veprën “Fjalor i shqipes së Plavës e të Gucisë” (me mbi 4000 fjalë dhe njësi frazeologjike, Botimet “Toena”, 2004, 206 faqe. Lënda e tij u shërben të gjithë shqiptarëve, studiuesve dhe leksikografëve për hartimin e fjalorëve më të mëdhenj shpjegues të gjuhës shqipe.

Pavli Haxhillazi është, gjithashtu, autor i një vargu studimesh nga fusha e leksikologjisë dhe e formimit të fjalëve, si dhe recensionues e redaktor i disa librave shkencorë nga fusha e gjuhësisë dhe e onomastikës shqiptare. Bashkë me Nos Xhuvanin, vitet e fundit, P.Haxhillazi përgaitit për shtyp dhe botoi librin “Visarion Xhuvani, në kishë, në Parlament, dhe në burg” ,Tiranë, 2007, me 520 faqe.

Për një kohë bukur të gjatë, Pavli Haxhillazi, qysh kur ishte punonjës shkencor i thjeshtë, bashkë me ekipin e leksikologëve të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, ka ndërmarrë ekspedita për mbledhjen e fjalës shqipe e të frazeologjizmave kryq e tërthor Shqipërisë dhe në Kosovë, si dhe ka dhënë ndihmesën e vet të rëndësishme në vjeljen, klasifikimin dhe shkencorizimin e lëndës leksikore të Kartotekës Kombëtare të Leksikut të Shqipes. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore albanologjike në Tiranë, Prishtinë e në rrethe, duke gëzuar nderimin e të gjithë atyre që e kanë njohur. Për një periudhë disavjeçare, Pavli Haxhillazi ka qenë edhe pedagog i jashtëm në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, ku mbajtur seminaret e Fonetikës së gjuhës shqipe. 

Ndihmesat e tij janë të shumta e të vyera, janë veprat e mëdha e me grupe autorësh, që kanë kërkuar shumë vite punë për t’i hartuar dhe që mbetën si trashëgimi shkencore me vlerë kombëtare, si pronë e vlefshme akademike.

Për mua, si koleg, po edhe, mbi të gjitha si mik, largimi i tij na pikëlloi, na helmoi në këtë prag të Krishtlindjeve dhe festave të fundvitit, por ai do të jetë gjithmonë në kujtimet dhe vlerësimet që i takojnë dhe mungesën e tij do ta ndjejmë për shumë kohë. Të qoftë e lehtë lëndina e vendit tënd, të cilin e shtegtove me aq zell dhe kurdoherë pa u lodhur, në kërkim të fjalëve të shqipes sonë të ëmbël, duke ecur me përkushtim në traditën e gjurmët e elbasanasit të madh, Aleksandër Xhuvanit.

Ngushëllimet më të ndjera Pranverës, me të cilën qenë një çift i përsosur, uratë e mbarësi fëmijëve: Adrit, Dorit dhe vajzës Gentës.

Sunday, November 6, 2016

Emisioni 18: Pararendës të sociolinguistikës shqiptare


Ide të hershme për një qëndrim a konceptim sociolinguistik të gjuhës ka pasur edhe në radhët e gjuhëtarëve shqiptarë. Mund të përmendim, sidomos, Atë Justin Rrotën me mendimet e vlerësimet e tij rreth mundësisë që ka njeriu për ta “dredhë giuhën” sipas rastit e bashkëbiseduesit dhe Eqrem Çabejn për lidhjen e gjuhës dhe seksit në të ashtuquajturën prej tij “të folët e grave”.
Atë Justin Rrotës i takon merita që, ndonëse shumë kohë para se të lindte sociolinguistika si disiplinë më vete dhe, madje, para se të krijohej termi përkatës për emërtimin e saj (që, do ta kishim vetëm aty nga viti 1952), me formulimin e tij të qartë kushtuar zhvillimit të gjuhës, t’ia ketë çelur shtigjet asaj me largpamësi. Për të faktuar sa më lart, po citojmë vetëm një pjesë të konceptimit të Atë Justin Rrotës lidhur me ndryshimin dhe zhvillimin e gjuhës apo sikundër e thoshte ai Gjuha shkon tue bam ato ndryshimet e veta (në “Hylli i Dritës”, 1931, nr. 3, f. 121-133).
Ai vepron aty me vizionin e shëndoshë të aftësisë së folësit “për ta dredhë gjuhën në dialekt dhe, anasjelltas, për të folur në gjuhën letrare kur e lyp nevoja e jo në dialekt të ngushtë, gjë që e bën atë një pararendës të konceptit të sotëm martineian të “bilinguizmit dialektal”. Për t’u bindur për këtë le të citojmë një fragment nga nënkreu “Gjuhën e përban populli”, ku ai thotë shprehimisht:
“T’u ndeshmen na, b. f., në nji qytetar e sidomos në nji katundar të Bavjerës, të Prusjes a të Saksonjës; jase në nji italian të Pjemontit, të Puljes a të Kalabrisë, ai ka për të folë me ne po njat gjuhë gjermanishte a italishte, qi dijmë prej librash së tyne. Por, po t’a sjellmen shpinën prej nesh, ai me nji herë, në familje, në lagje, në katund a qytet, me shokë të vet, e dredhë gjuhën në dialekt. E pra, kanë kalue shekuj qyshse u themelue gjuha letrare gjermanishte apo italishte.
Vlerësimi i Atë Justin Rrotës si pararendës i sociolinguistikës ka pasur e ka mëtimin që të dëshmohet se, edhe shqiptarët, ndonëse një popull i vogël (e me kufizimet e ditura për shkak të kushteve ekonomiko-shoqërore e sidomos të pushtimeve shumëshekullore prej të huajve), kanë qenë pranë dijes e letrave. Rastin e Justin Rrotës, si dhe të shumë burrave të shquar të tjerë, që kanë dalë prej viseve shqiptare, duhet të guxojmë t’i pohojmë me krenari kur është rasti. Idetë e lartpërmendura qëndrojnë krahas me ndihmesat e pararendësve të tjerë të kësaj disipline, qoftë edhe duke e ditur mirë se ka një dallim të madh ndërmjet vetëdijshmërisë së vagët rreth një problemi dhe kërkimit sistematik për studimin e tij. Mund të pohohet se kundrimet dhe mendimet e shprehura nga Atë Justin Rrota mbeten edhe sot e gjithë ditën me vlerë.
 Ky studiues, qysh atëherë, ka pasur një vizion vërtet modern rreth zhvillimit gjuhësor e kalimeve të ndërsjella, nga gjuha e njësuar në dialekt (dhe anasjelltas), sipas rastit e nevojave shprehëse. Dhe kjo e lartëson shumë figurën e tij si gjuhëtar e si vizionar. Kur Atë Justin Rrota thotë, ndër të tjera: “Kurrkush mos t’a lëshojë at dialektin e vet kudo të gjindet”, kjo duhet lexuar, kuptuar e interpretuar për së mbari: idiolekti apo e folmja e çdo individi modelohet dhe formësohet më së pari në gji të një bashkësie të vogël: në familje dhe në rrethin e ngushtë familjar e shoqëror, pastaj del në një rreth më të gjerë të të folurit në bashkësinë më të parë shoqërore, e cila, në çdo vend e në çdo kohë, ka qenë e do të jetë e atillë që pasqyron rrethanat e mjedisit përkatës. Me fjalë të tjera, fëmija niset në shkollë duke pasur vetëm dialektin e vet, vetëm atë të folme që i është mësuar qysh kur ishte në djep nga nëna dhe familjarët që e rrethojnë, porse në shkollë dhe gjatë gjithë jetës ai do ta zgjerojë hapësirën e komunikimit të tij, duke u mësuar që, sipas rastit e kushteve, pikërisht ashtu si na thotë Atë Justini, do t’i duhet “me e dredhë gjuhën” nga dialekkti në standard, ashtu si edhe nga gjuha e vet amtare në gjuhë të huaja, që puna do t’ia dojë t’i mësojë e t’i ushtrojë si “gjuhë buke”.
Bashkimi i gjuhës asht bashkimi i mendimit, i ndiesive e i karakterit kombtar. Populli e ka ba detyrën e vet, ka ruejtë gjuhënshka gjejm të mirë në një krahinë s’do të kursehemi ta pranojmë edhe na për të mirë të përbashkët. Shtojmë se, qysh në atë kohë, idenë e bukur të aftësisë së njeriut “për ta dredhë gjuhën”, e zbatoi praktikisht, me ligjerata te lira, edhe Atë Anton Harapi, që shkroi gjashtë ligjerata në toskërisht dhe i mbajti në vitin 1936 me intelektualët e Korcës.
2.Ndonjë ide me vlerë sociolinguistike, ndonëse pa e përmendur dhe, natyrisht, pa e ditur se po mëkëmbej ajo disiplinë, ka shprehur edhe albanologu i njohur polak Vaklav Cimohoski, në studimin e së folmes së Dushmanit. Duhet ta themi se, përtej vlerave mirëfilli dialektologjike për njohjen dhe fiksimin e një të folmeje të rëndësishme të gegërishtes veriore, në një farë mënyre, në atë vepër u hodh “fara” e mbarë për të kundruar edhe disa aspekte të lidhura me larminë shoqërore dhe ndërshtresore të të folmeve të shqipes, ndonëse pa e pasur atë as qëllim, as mëtim metodologjik të tij, por si një shtysë e pjesë të punës për të mbërritur një përshkrim sa më të qartë e të besueshëm.
3.Eqrem Çabej, qe i pari ndër gjuhëtarët shqiptarë të Pasluftës së Dytë Botërore, që përmendi “të folët e grave” dhe shkroi rreshtat më të parë kushtuar eufemizmave të shqipes, duke na shpënë kështu në atë fushë të pëlleshme të etnolinguistikës, që ne do ta quanim si “reparti pararojë” i etnografisë së të folurit grarisht.
Shqyrtimet e sotme etnolinguistike dhe ato sociolingustike, qoftë përsa u takon marrdhënieve gjuhë-gjini (seks), qoftë edhe për lidhjet gjuhë-mendësi (mentalitet), mund të jenë edhe për shumë kohë të frytshme për studimin e aspekteve të ergologjisë dhe të kulturës shiprtërore të popullit, sidomos i një populli që ka ruajtur më vonë se kushdo tjetër në Evropë, dukuri të vjetra e, madje, shumë të vjetra që shfaqen edhe në gjuhën e tij. Eufemizmat, sikundër ka ideuar në kohën e vet prof.E.Çabej dhe siç jemi përpjekur ta shpiem më tej në studimet tona, mund të konsiderohen si “reparti pararojë” e dëshmues i së folmes së grave ose i ligjërimit grarisht, sikundër po quhet më shpesh në studimet më të reja.
4.Me vlerë në kundrimet e mëpastajme sociolinguistike dhe rreth marrëdhënieve dialekt-gjuhë standarde, duhet përmendur ideja e Selman Rizës rreth “toskërishtes së folur prej gegëve”. Mund të shihet aty një vizion i shëndoshë i bashkarisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, si një konceptim që do të thotë: një gjuhë shqipe e normëzuar sipas një modeli të toskërishtes letrare, që duhet zbatuar gjithandej në drejtshkrim e në trajtat morfologjike, por që do të vihet në gojën e të gjithë shqiptarëve, por  edhe me mundësinë (dhe domosdoshmërinë) që të shkojë kurdoherë duke u lëmuar, gdhendur e përmirësuar sipas prurjeve të fuqishme nga qendrat e nga krahinat.
5. Në grupin e pararendësve të sociolinguistikës shqiptare i takon të përfshihet edhe Qemal Haxhihasanit, folklorist i shquar dhe dialektolog, i cili, në vitet ’60, ndërmori studimin e të folmeve të fshehta të shqipes apo, sikundër i quante ai, “të folmet shoqërore”, duke i parë ato me të drejtë si pjesë të dialektologjisë sociale dhe bëri përshkrimin e tyre mjaft të hollësishëm e që do të mbetej si studimi kryesor i ligjërimeve argotike të shqipes. (“St.fil.” 1964, 1,2,3).
6.Për herë të parë, një libër kushtuar sociolinguistikës në gjuhën shqipe do ta kishim vetëm me tekstin e Gj.Shkurtajt, Sociolinguistika, SHBLU, Tiranë, 1996 dhe me variantin më të gjerë të tij më 1999[1]. Një paraqitje edhe më të thelluar, si dhe me prurje më të shumta nga lidhjet e ligjërimit me faktorët shoqërorë e me grupimet e ndryshme moshore, gjinore, profesionale, fetare dhe me taktikat e strategjinë e ligjërimit do të jepej në librin tjetër “Etnografi e të folurit të shqipes”, SHBLU,Tiranë, 2004; 2009, si dhe botimi i dytë me titull “Sociolinguistkë e shqipes”-Nga  dialektologjia  te etnografia e të folurit, Botimet Morava, 2009 (425 f.). Këta libra, kanë pasur njohje e rrezatim të gjerë në botën universitare, duke shërbyer si bazë e lëndës së sociolinguistikës, po edhe si kah i ri pune për një numër gjithmonë e më të madh studuiuesish më të rinj, nga të gjitha trevat shqiptare.
Këto shpjegime dhe argumentimet përkatëse do t’i gjeni në librin tonë Sociolinguistikë e shqipes- Nga dialektologjia te etnografia e të folurit”,(Koncepte bazë të sociolinguistikës shqiptare), Tiranë,2013, faqe 27-34.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe mirudëgjofshim në emisionin e ardhshëm.



[1]. Shih:Gj.Shkurtaj, Sociolinguistika (botim i parë), SHBLU, Tiranë, 1999 dhe 2003 (ribotim).