Sa herë, gjatë shumë viteve të njohjes e miqësisë sonë me Letën, kënaqeshim së diskutuari për librat e shumtë që ajo i lexonte dhe i komentonte aq bukur, po edhe me rrëfimet e saj që ajo i tregonte me një ironi dhe vetironi të atillë që bënin të shkuleshin së qeshuri edhe të vdekurit, prandaj edhe i thoshim gjithmonë:
“Moj Leta, pse nuk i shkruan këto gjëra kaq të bukura që na i thua neve?”
Këtë konstatim, me siguri, do t’ia kenë shprehur, në mos me gojë, së paku me mendje, edhe ish-nxënësit e saj të shumtë, të cilëve ajo u ka dhënë Gjuhë Shqipe e Letërsi shqiptare në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”.