Monday, June 27, 2011

Portret i një studiuesi dhe dashamirësi të shqipes (Shënim biobibliografik për studiuesin zviceran prof. dr. Basil Schader)



nga Gjovalin Shkurtaj

shko ketu per me shume

Dr. Basil Shader (Schader) është profesor në Shkollën e lartë pedagogjike të kantonit të Cyrihut (Zvicër), ku ai udhëheq degën "gjermanishtja si gjuhë e dytë". Ai është anëtar i disa komisioneve lëndore dhe drejtues i projekteve arsimore-shkencore për gjuhën e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër. Në këtë cilësi prof. dr. Basil Shader ka nxënë gjuhën shqipe në nivel të shkëlqyeshëm, si dhe ka hartuar e botuar shumë libra shkencorë e mësimorë, ndër të cilët disa janë në gjuhën shqipe e për t'u ardhur në ndihmë bijve e bijave të mërgimtarëve shqiptarë të diasporës më të re në Zvicër. Studimet dhe hulumtimet sociolinguistike dhe didaktike të prof. Shaderit janë përqëndruar kryesisht rreth shqipes si gjuhë në kontakt me gjermanishten e dialektet e saj në Zvicrën gjermanofone. Aktualisht ai është drejtues i projektit kërkimor "kompetenca gjuhësore, orientimi gjuhësor dhe suksesi i nxënësve shqiptarë në Zvicër".

Zoti B. Shader është një personalitet i dalluar dhe dashamirë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, i cili, përveç ndihmesave që jep për shqiptarët në Zvicër, ka kontribuar shumë edhe për rindërtimin e pajisjen e shkollave të komunës së Balldrenit (Lezhë). Prej disa vjetësh ai është lidhur me mësues dhe drejtues të arsimit të asaj komune dhe ka sjellë ndihma të konsiderueshme financiare për ndërtimin e pajisjen e shkollës tetëvjeçare të Kolajakut, si dhe për pajisjen me mjete mësimore të shkollës së mesme të Balldrenit. Për meritat e ndihmesat e tij të vyera, Këshilli Bashkiak i Balladrenit e ka dekoruar prof. dr. Basil Shaderin me titullin "qytetar nderi"(shtator 2002). Qysh prej dy vjetësh prof. dr. Basil Shaderi është regjistruar dhe po punon për të mbrojtur një doktorat të dytë pranë Departamentit të Gjuhësisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Univeristetit të Tiranës, nën drejtimin e prof. dr. Gjovalin Shkurtajt.

Diçka për jetën dhe veprimtarinë shoqërore e shkencore të B. Schader-it.

Miku ynë, Basil Shader, ka lindur në Zyrih (Zurich) më 19 tetor 1951, ku ka kryer shkollën fillore dhe gjimnazin më 1970.Në vitet 1970-74 ndjek studimet për filologji klasike (greqisht e latinisht) në Cyrih dhe në Tybingen, ndërsa nga viti 1974-76 kryen studimet për mësues në seminarin e lartë të kantonit të Cyrihut, ku merr diplomën përkatëse më 1976 dhe fillon veprimtarinë si mësues në fshatin Hinwil/ZH dhe punon aty deri më 1981. Gjatë kësaj kohe B. Schaderi nis të dallohet edhe si bashkëpunëtor i komisioneve pedagogjike dhe si drejtues i kurseve të ndryshme si dhe nis të botojë artikuj e libra me interes pedagogjik e etnolinguistik. Nga viti 1979-82 u përvishet përsëri studimeve dhe merret thekshëm me gjuhën e letërsinë gjermane (si lëndë e parë) dhe me historinë e pedagogjisë (si lëndë e dytë) si dhe me kritikën e letërsisë në universitetin e Cyrihut, për të cilat ai fiton edhe diplomat (licencat) përkatëse.

Prej vitit 1982, kohë kur ai ishte bërë tashmë një emër i njohur në qarqet metodike e shkencore të Zyrihut e më gjerë, B. Shaderi merr detyrën e didaktit të gjuhës amtare në seminarin për mësues të shkollës fillore të kantonit të Cyrihut (sot: shkolla e lartë pedagogjike e kantonit të Cyrihut). Përveç kësaj ai bashkëpunon gjallërisht në komisione të ndryshme, duke iu ngarkuar edhe detyra të rëndësishme si redaktor për libra shkollorë, anëtar i jurisë së çmimit zviceran të librave për fëmijë etj. Më 1983 ai u shton diplomave e licencave të tij edhe diplomën për mësues në gjimnaz për lëndët gjuhë gjermane dhe pedagogji, ndërsa më 1985 mbron disertacionin me titull "Johan Jakob Redinger (1619-88), Sprachwissenschafter und Padagoge im Gefolge des Comenius"[Johan Jakob Redinger, gjuhëtar dhe nxënës i Komenski-t]. Njeri me dhunti të shumta dhe me vullnet të çeliktë, zoti Shader do të ecë edhe më tej në karrierën e tij shkencore. Kështu, në vitet 1987-89 kryen studime të thelluara pasuniversitare për etnografinë dhe folklorin evropian (Volkkunde) në Cyrih, duke fituar aty edhe një licensim të dytë. Një figurë e tillë më se e kompletuar për nga formimi teorik i përgjithshëm, po edhe tashmë me një përvojë të madhe pedagogjike e botuese, në vitet 1988-90 emërohet si drejtues i projektit etnografik "kultura e festave kombëtare të sotme" (në Zvicër), detyrë e lartë dhe emërtesë e fondit kombëtar zviceran për shkencë. Ndërkaq, gjatë vitit 1991 e në vijim, pa u lodhur e pa pushuar, z. Shader harton e boton një varg librash shkollorë të ndryshëm,ndër të cilët edhe "Ura e fjalëve", fjalor shkollor gjermanisht-shqip. Dhe, në mënyrë të natyrshme e të mirëpritur, vjen më 1992 gradimi i tij me një emërim më të lartë si profesor në seminarin për mësues të kantonit të Cyrih-ut (sot: shkolla e lartë pedagogjike).

Viti 1992, krahas sukseseve të përmendura e të merituara, i sjell zotit Basil Shader edhe një kënaqësi tjetër. Martohet me zonjën Erika Bauhofer, e cila, jo vetëm nuk do ta pengonte në studimet dhe veprimtarinë e tij të shumanshme, por edhe do t'i bashkohej e bashkëngjitej si një ndihmëse e veprimtare shumë e gjallë dhe simpatike. Nën ndikimin e Basilit edhe ajo do të bëhet shpejt një dashamirëse dhe ndihmestare e palodhur e diasporës shqiptare në Zvicër si dhe do të ndihmojë me përkushtim në gjetjen e fondeve dhe ndihmave për rindërtimin e pajisjen e shkollave shqiptare të rrethit të Lezhës, sidomos të komunës së Balldrenit.

Më 1993 prof. dr. Basil Shaderi kryen edhe një tjetër specializim në fushën e pedagogjisë ndërkulturore si dhe ndërmerr botimin e teksteve shkencore e didaktike të ndryshme për këtë temë. Më 1994 emërohet si anëtar i udhëheqjes së seminarit për mësues në Cyrih, si dhe anëtar i grupit kërkimor "Multilingualism and teacher training" në kuadrin e projektit evropian EUNIT.

Qysh nga viti 1994 e në vijim, emri i prof. dr. Basil Shaderit do të dalë shpesh e më shpesh si kumtues e referees në kongrese, konferenca e seminare të ndryshme shkencore jo vetëm në Zyrih, por edhe në Bernë e gjithandej në Zvicër, si dhe, pikërisht në atë kohë, ai fillon të merret me përkushtim me gjuhën shqipe dhe me problemin e mësimit të gjermanishtes nga fëmijët e diasporës shqiptare në Zvicër. Për këtë, prof. dr. Basil Shaderi, me një vullnet e aftësi të rrallë, i vihet të nxënit të shqipes, të cilën e mbërrin me një rezultat çuditërisht të mirë dhe në një kohë të shpejtë, duke arritur jo vetëm të flasë, të lexojë e të shkruajë lirshëm shqipen, çka nuk do të ishte pak, porse mrekullia është se ai, pikërisht në këto vite, nis edhe të hartojë e të botojë libra në gjuhën shqipe si dhe studime shkencore për pedagogjinë e mësimdhenies së gjermanishtes në shkollat zvicerane me fëmijë shqiptarë, si dhe, pas ca kohe, edhe për probleme mirëfilli sociolinguistike, siç është ai i shqipes si gjuhë në kontakt me gjermanishten në kantonin e Zyrihut.Mund të përmendim, ndër të tjera, se më 1996 ai botoi librin "Shqip! Materiale mësimore për nxënës dhe nxënëse shqiptarë dhe për mësimin ndërkulturor", bashkë me Femzi Brahën, ndërsa më 1997 bëhet nismëtar dhe udhëheqës i studimeve suplementare për mësimin e shqipes në klasa multikulturore në seminarin e Cyrihut. Më 1999, pasi ishte bërë tashmë një figurë e njohur dhe e autoritetshme në fushën pedagogjike e shkencore, prof. dr. Basil Shaderi emërohet si bashkëpresident i shoqatës "Arsimi" që merret me bashkëpunimin zvicerano-shqiptar në fushën e arsimit dhe të pedagogjisë. Vlen të përmendim, gjithashtu, se gjatë viteve 2000-2001 ka qenë edhe bashkëudhëheqës i seminareve për mësimdhënien në në Gjilan (Kosovë) të financuar nga shteti zviceran dhe shoqata "HEKS".

Dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto punë, nisma e botime, si dhe veprimtaria e tij aq e shtrirë dhe e frytshme në të mirë të shqipes, shqiptarëve dhe Shqipërisë, prof. dr. Basil Shader-i, qysh nga tetori i vitit 2000, pasi erdhi në Tiranë dhe dha provimin e gjuhës shqipe, është regjistruar edhe për të kryer një tezë doktorati të dytë pranë Departamentit të Gjuhësisë të Fakultetit të Hisrtorisë dhe të Filologjisë me temën "Dygjuhësia e fëmijëve shqiptarë në Zvicrën gjermanishtfolëse". Deri tashti ai ka përmbushur me përkushtimin më të lartë dhe me nivel shumë të mirë disa prej anketimeve dhe është duke përfunduar së hartuari disertacionin për këtë temë, pjesë të cilit janë miratuar për botim në disa organe shkencore universitare dhe akademike.Një pjesë e atij studimi është dhënë për botim edhe në këtë numër të revistës "Gjuha jonë".

Aktualisht prof. dr. Basil Shaderi është profesor në shkollën e lartë pedagogjike të kantonit të Cyrihut, udhëheqës i degës "Gjermanishtja si gjuhë e dytë/ gjuhët e mërgimit", anëtar i komisioneve të ndryshme,autor i librave, artikujve të shumtë, recensent dhe ekspert në komisione të ndryshme për librat shkollorë dhe didaktikë; udhëheqës i projektit kërkimor "kompetenca gjuhësore,orientimi gjuhësor dhe suksesi shkollor i nxënësve shqiptarë në Zvicër".

Përshkrim i shkurtër i përmbajtjes së disa prej librave të Shaderit

1. "Johan Jakob Redinger (1619-88), Sprachwissenschafter und Padagoge im Gefolge des Comenius"[Johan Jakob Redinger, gjuhëtar dhe pedagog në shpurën e Comenius-it (Jan Amos Komensky)]; Cyrih /Mynhen (Shtëpia botuese Artemis) 1985, 378 faqe.

Libri hulumton jetën dhe veprat e nxënësitcyrihian të Komenskit, Johan Jakob Redinger. Pas biografisë së shkruar nga Colinger-i (Zollinger) më 1905, kjo monografi është hulumtimi i parë i gjerë për këtë shkencëtar, prift protestant dhe pedagog shumë të njohur. Libri jep kontekstin historik të gjuhësisë, pedagogjisë dhe të bindjeve e prirjeve fetare të epokës së humanizmit dhe të barok-ut, e vendos qëndrimin e Redinger-it në akontekst dhe nxjerr përfundime për vlerën e veprimtarive dhe teorive të tij. Janë zbuluar, hulumtuar dhe vlerësuar qindra dokumente të panjohura më pare, ndër të cilat edhe një tekst i ri i vetë Komenskit "Comenianae linguarum methodi synopsis", i botuar në Acta Comeniana7(XXXI), Pragë 1987). Libri është pranuar e miratuar si disertacion në Universitetin e Cyrih-ut.

2. Festgenossen. Über Wesen und Funktion der eidgenössischen Verbandsfeste (hg. zusammen mit Walter Leimgruber); Basel (Helbling und Lichtenhahn) 1993 (në serinë Kulturelle Vielfalt und nationale Identitat;nationals Forschungsprogramm 21 [larmi kulturore dhe identiteti kombëtar, programi kërkimor kombëtar 21] (i botuar së bashku me Valter Lajmbruger (Walter leimbruger), 416 faqe.

Libri është fryt i hulumtimeve etnologjike që ka bërë një grup kërkimor nën udhëheqjen e Basil Shaderit në kuadrin e programit 21 të fondit kombëtar për shkencë. Aty përshkuhen festat e mëdha,mbi nivel gjithëzviceran, që organizojnë shoqatat popullore të këngëtarëve, të gjimnastëve, të muzikantëve etj. Në ritëm 3- ose 5-vjeçar. Hulumtohen aspekte të ndryshme si dhe funksionet e atyre festive për integrimin e pjesëmarrësve gjatë shekullit të kaluar. Libri përmbledh 8 ndihmesa të bashkëpunëtorëve në projektin përkatës, me tema si: "organizimi dhe organizatorët e festive kommbëtare" (B. Shader), "Festat kombëtare të shoqatave zvicerane: Aspekte të një segmenti tradicional të kulturës festive zvicerane" (B. Shader), "Gratë në festat e burrave" (W. BellWald) etj. Rezultate e përfundimet e këtij studimi janë botuar edhe në revista shkencore që i kushtohen leksikut etnologjik të Zvicrës.

3. "Shqip" Unterrichtsmaterialien für Albanisch sprechende Schülerinnen und Schüler und für den in ter kulturellen Unterricht in der Regel- und Kleinklasse. Mit Unterrichtsvorschlägen und Hinter grundinformationen (zusammen mit Femzi Braha); Zürich (Verlag Lehrerinnen und Lehrer Schweiz) 1996, 210 faqe.

Libri "Shqip", së pari, përmban një përmbledhje të gjerë tekstesh shqip, të ndara në tetë tema që janë me rendësi për mësim (p.sh. "Gjuha dhe kultura shqipe", "Kafshë", "Natyrë", "Përralla"). Brenda temave, tekstet janë të ndara në tri nivele gjuhësore, me qëllim që të jenë në dispozicion materiale për nxënës me aftësi gjuhësore të dobëta, të mesme dhe të larta. Një pjesë e teksteve janë të përkthyera. Përveç teksteve shqip, libri përmban edhe një parashtresë për gjuhën dhe kulturën shqiptare si dhe, për secilën temë, propozime didaktike që tregojnë se si mund të trajtohet tema përkatëse në mënyrë të hapur ndaj gjuhëve dhe kulturave të ndryshme që gjenden në klasë. Natyrisht, kjo pjesë e librit u drejtohet në radhë të parë mësimdhënësve. Qëllimi i librit "Shqip" është, në radhë të parë, t'i ndihmojë nxënësit shqiptarë ta ruajnë gjuhën tyre amtare edhe në kushtet e mërgimit (sepse në Zvicër gati nuk gjenden dot tekste shqip për fëmijët) dhe, së dyti, të frymëzohen mësuesit zviceranë lidhur me integrimin e gjuhëve dhe kulturave të huaja në mësim. Libri "Shqip" përdortet jo vetëm në shumë klasa zvicerane me nxënës shqiptarë, por edhe në shumë klasa të mësimit plotësues shqip. Me këtë libër prof. dr. B. Shaderi dhe Femzi Braha kanë marrë çmimin e fondacionit "Peter Hans Frey" për veprimtari të shklëqyeshme në fushën e pedagogjisë.

4. Die Worterbrucke.Schulworterbuch (fur die Sprachen Albanisch, Turkisch, Porugiesisch, Bosnisch /Serbisch/Kroatisch [Ura e fjalëve. Fjalor shkollor (variante të ndryshme për shqipen, turqishten,portugalishten,kroatishten/serbishten/bosniakishten). Cyrih (Shtëpia botuese për libra shkollorë), 1997.

Fjalorët dygjuhësorë "Ura e fjalëve" përmbajnë rreth 6000 fjalë a) gjermanisht-gjuhë e huaj dhe b) gjuhë e huaj-gjermanisht. Ata janë ndërtuar sipas modelit të fjalorit drejtshkrimor "Arka e fjalëve". Në secilin variant të "Urës së fjalëve" ka udhëzime për përdorim, shpjegime për dallime mes gjuhës përkatëse dhe

gjermanishtes në shkrim dhe në shqiptim si dhe një listë me numërorët dhe foljet e parregullta gjermane. Pikënisja e konceptimit të "urave" të fjalëve ishte konstatimi se nxënësit me gjuhë amtare të huaj, shpesh nuk kanë mjete ndihmëse ose janë të mbingarkuar me fjalorët e mëdhenj, përdorimi i të cilëve nuk është shumë i përshtatashëm për moshën e shkollarëve të vegjël.

Karakteri risor dhe i përshtatshëm i këtyre fjalorëve ka bërë që ata të pëlqehen dhe të përhapen mjaft jo vetëm në Zvicër, po edhe në Austri e Gjermani.Libri "Shqip" ka dalë deri tashti në pesë botime dhe përdoret edhe nga shqiptarë të rritur.

Basil Shaderi ka edhe shumë libra e studime të tjera me interes, që rrokin fusha të ndryshme si etnografi e folklor, histori e pedagogjisë dhe e shkollës, zhvillimi i shkollës (school development), pedagogji ndërkulturore, përhapje e didaktikës së gjermanishtes në drejtimin ndërkulturor. Në atë drejtim ai ka ndihmesa në dy plane me rendësi: a) tekste teorike dhe b) tekste e materiale të orientuara për praktikën dhe përdorimin në shkolla;

Mësim / mësim gjuhësor në përgjithësi, si dhe shumë libra mësimi, ndër të cilët mund të përmendim Die Wörterbrücke. Zweisprachige Schulwörterbücher für die Sprachen Albanisch, Türkisch, Portu giesisch, Kroatisch/Serbisch/Bosnisch; Zürich (Lehrmittelverlag des Kantons Zürich 1996 (Fjalorë dy-gjuhësore për katër gjuhët mërgimi më të rëndësishme në Zvicër).

Së fundi, mund të përmendim edhe tekste në lidhje me shqipen dhe me mërgimin shqiptar, ku mund të veçojmë: recension për librin e Hysen Çobanit: Arkipelagu i diasporave shqiptare i parë nga Zvicra; në: Albanische Hefte 2/98, f. 23-24; Albanisch kann bald jeder Zweite. Në: NZZ vom 26.3.2003 (Bildung und Erziehung).

Autori ka gati për botim edhe pjesët vijuese të tezës së doktoratit: Bashkëjetësia shqiptaro-zvicerane.Shqipja dhe gjermanishtja si gjuhë në kontakt.Shënime për një krahasim gjuhësor të shqipes me gjermanishten.Probleme të mundshme në mësimin e gjermanish tes nga shqipfolësit.Përhapja e çuditshme e shqipes nëpër shkollat zvicerane .

Tiranë, 7.04.2003

Sunday, June 19, 2011

ALBNOW: Fëmijët emigrantë marrin Çertifikatën e mësimit të Gjuhës Shqipe në Athinë,ALBNOW mes tyre

KLIKO KETU PER ME SHUME NE ALBNOW.COM

Ka qenë një nga momentet më të lumtura që ndjejnë emigrantët shqiptarë ...

në Greqi,kur shikojnë fëmijët e tyre në skenë dhe recitojnë vjersha në gjuhën shqipe.

Qindra fëmijë të emigrantëve shqiptarë në Athinë kanë marrë sot Çertifikatën e vitit shkollor të Mësimit të Gjuhës Shqipe,ku dhe recituan vjersha përpara prindërve dhe qindra emigrantëve të tjerë të pranishëm në sallë.

Ceremonia e ndarjes së çertifikatave u zhvillua në mjediset e Organizatës Rinore të Athinës,ku kanë qenë të pranishën intelektualë shqiptarë,Ambasadori shqiptar në Athinë Dashnor Dervishi,si dhe përfaqësuesja e Bashkisë së Athinës Panajota Psaraki.

Drejtori i Shkollës Shqiptare të Athinës,Lorenc Koka,ka falenderuar pjesëmarrësit dhe nëpërmjet mësuesve të mësimit të gjuhës shqipe ka ndarë çertifikatat e mësimit të gjuhës shqip,të shoqëruara me dhurata për fëmijët emigrantë.

Mësuesja duke dhënë Çertifikatën dhe dhuratën

Çertifikata

Më shumë se 30 nxënës të gjuhës shqipe recituan vjersha të poetëve tanë të mëdhenj,ndërsa nuk munguan edhe vallet shqiptare.

Nxënësit duke recituar

Nxënësit në valle popullore shqiptare

Në fjalën e saj,përfaqësuesja e Bashkisë së Athinës,z.Psaraki,krahasoi fëmijërinë e saj me fëmijët emigrantë."Edhe unë u rrita në mërgim,në Amerikë.Neve na mësonte greqisht prifti,i cili as vetë nuk dinte mirë greqisht dhe kur u ktheva në Greqi,u detyrova të mësoj gjuhën time nga fillimi.Ju,emigrantët shqiptarë,jeni me fat që e mësoni gjuhën nga mësuesë të vërtetë,që iu mësojnë gjuhën e nënës në vend të huaj",tha Psaraki.

Ambasadori Dashnor Dervishi,Perfaqësuesja e Bashkisë së Athinës Panajota Psaraki dhe Drejtori i Shkollës Shqiptare të Athinës Lorenc Koka

Ambasadori shqiptar Dashnor Dervishi,i cili ka qenë i pranishëm pothuajse në të gjitha aktivitetet e emigrantëve shqiptare,shprehu kënaqësinë e tij për fëmijët emigrantë që mësojnë shqip në Greqi."Kam ndjekur shumë nga aktvitetet e emigrantëve dhe ndjehem mirë që fëmijët emigrantë ,përveç mësimeve të shkollës,aktivizohen për të mësuar gjuhën shqipe dhe akoma më shumë jam i kënaqur,që këta fëmijë janë shumë."

Ambasadori Dashnor Dervishi,Drejtoresha e gazetës

Drejtori i Shkollës Shqiptare të Athinës,Lorenc Koka,tha se " shkolla filloi me mësimin e disa kompjuterave dhe pas kaq vitesh kemi arritur të kemi një numër kaq të madh ,jo vetëm në komjutera dhe anglisht,por edhe në mësimin e gjuhës shqipe dhe kjo na bën krenarë".

Nxënësi emigrantë në piano

Share Link: Share Link: Bookmark